Skuadra kampione e Tiranës në basketboll për meshkuj është tërhequr nga pjesëmarrja e saj në Ligën Ballkanike (BIBL) për sezonin sportiv 2018-2019. Problemet financiare kanë detyruar skuadrën bardheblu të tërhiqet nga ky event, edhe pse e kishte konfirmuar dy muaj më parë pjesëmarrjen.
Kryeqytetasit kanë marrë pjesë në dy edicionet e fundit të këtij turneu, madje edhe duke bërë një paraqitje të mirë, por kostoja e lartë financiare që kërkon ky event ka detyruar Tiranës të bëjë prapakthehu.
Në këtë event do të marrë pjesë ekipi i Teutës, që ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe që nuk ka probleme të tilla. Ja deklarata e shoqatës Tirana:
Drejtuar medias së shkruar dhe vizive
“Shoqata Basketbollit Tirana Meshkuj dëshiron të informojë se nuk do të jetë pjesëmarrëse e Ligës Ballkanike për sezonin 2018-2019. Mospjesëmarrja jonë vjen për arsye madhore dhe jo për dëshirën tonë.
Financat që disponojmë nuk na lejojnë pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Përpjekjet nga ana e stafit kanë qenë të panumërta për të siguruar anën ekonomike, por nuk ia arritëm dot.
Pas dy viteve në Ligën Ballkanike, mes shumë arritjeve, që kanë kontribuar në rritjen e njohjes së basketbollit shqiptar në rajon, jemi të detyruar të marrim këtë vendim, ndërsa falënderojmë Shai Shtriks për mbështetjen e dhënë dhe të gjithë stafin e tij të Ligës Ballkanike.
Objektivat tona nuk ndryshojnë. Impenjimi dhe përkushtimi i të gjithëve do të jetë maksimal që Tirana të jetë përsëri kampione e Shqipërisë.”