Nëse merrni një kredi bankare, duhet të dini se mund të ndryshoni monedhën në të cilën e keni këtë kredi. Duke filluar nga ky vit, rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë për kredinë konsumatore dhe hipotekare iu njeh individëve të drejtën të kërkojnë konvertimin e kredisë në një monedhë tjetër.
Qëllimi i konvertimit është përputhja e monedhës së kredisë me monedhën në të cilën klienti përfiton të ardhurat, me qëllim shmangien e rreziqeve nga kursi i këmbimit.
Për kreditë në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të klientit, bankat gjithashtu duhet të njoftojnë klientët në rastet kur luhatjet e kursit të këmbimit apo normave të interesit, shkaktojnë rritje të vlerës së këstit me shumë se 20% nga vlera fillestare, e parashikuar në momentin e nënshkrimit të kontratës së kredisë.
Gjithashtu, për rastet e mësipërme, kontrata fillestare duhet t’i ofrojë kredimarrësit disa shembuj të efekteve të mundshme që mund të ketë ndryshimi i normave të interesit apo i kursit të këmbimit në këstet e kredisë. Qëllimi është që klienti të jetë i vetëdijshëm për rreziqet që vijnë nga luhatjet në kursin e këmbimit apo në normat e interesit në të ardhmen.
Risi tjetër është se kontratat e kredisë duhet t’iu njohin klientëve të drejtën për ndryshuar në çdo kohë kolateralin e lënë në favor të bankës. Ndryshimet në rregullore përcaktojnë gjithashtu se vlera e penaliteteve të aplikuara në banka në rast vonesash, në asnjë rast nuk mund të kalojë shumën e detyrimit, që përfshin principalin dhe interesin. Megjithatë, kërkesat e kësaj rregullore do të zbatohen vetëm për kontratat e lidhura pas hyrjes së saj në fuqi, ndërsa nuk do të kenë fuqi detyruese për kontratat ekzistuese.