MENU
klinika

Gjoka Konstruksion, hua 9.5 mld lekë

Rruga e Arbrit me kredinë më të madhe në Shqipëri

22.10.2018 - 10:15

Projekti i parë i platformës “1 miliard euro”, Rruga e Arbrit, po financohet me një kredi prej 9.5 miliardë lekësh  ose rreth 75 milionë eurosh nga Banka Kombëtare Tregtare. Kredia e marrë nga kompania Gjoka Konstruksion besohet se  është më e madhja e akorduar nga sistemi bankar shqiptar për një kredimarrës privat, deri më sot.

Sigurisht, kjo është bërë e mundur sepse projekti i Rrugës së Arbrit do të financohet nga qeveria shqiptare. Megjithëse qeveria nuk do të japë garanci sovrane për kredië e marrë nga kontraktorët e PPP-ve, bankat kanë vendosur të japin mbështetje për këto projekte. Financimi i këtyre projekte, në fakt, është pjesërisht një rrugë e pashkelur, si për nga përmasat, ashtu edhe për nga tipologjia.

Duke qenë se qeveria nuk del direkt garant për kreditë, ato bartin një shkallë të caktuar rreziku për bankat tregtare. Kredia e BKT për Gjoka Konstruksion është dhënë duke vendosur barrë mbi aksionet e kompanisë dhe duke marrë si kolateral disa dhjetëra pasuri të paluajtshme, por që sigurisht nuk sigurojnë mbulim të mjaftueshëm për një kredi të përmasave kaq të mëdha.

“Platforma 1 miliard euro” e qeverisë shqiptare që përfshin disa projekte madhore të infrastrukturë rrugore, do të varet shumë nga mundësia dhe gatishmëria e sistemit bankar për të financuar këto projekte. Nëse projekti i parë ka arritur të sigurojë financim, nuk është e sigurtë nëse kjo do të ndodhë për ato në vazhdim. Mundësitë e bankave në Shqipëri për të dhënë kredi të përmasave të tilla janë të kufizuara dhe vështirë se ndonjë bankë tjetër mund të japë kredi të dytë të këtyre përmasave.

Kjo mund të bëhet vetëm me garancinë e grupeve bankare zotëruese jashtë vendit, por, duke parë qasjen e tyre ndaj tregut shqiptar në vitet e fundit, kjo nuk ka shumë të ngjarë të ndodhë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN