Basketbolli shqiptar e ka nisur mirë aventurën në rajon. Ekipi i Teutës në basketboll për meshkuj ka debutuar me fitore në Ligën Ballkanike, duke mundur 89-86 bullgarët Akademic Bultex 99 pas kohës shtesë, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Kjo ishte sfida e parë e Tetutës në këtë event rajonal të basketbollit dhe starti i nënkampionëve të Shqipërisë ishte i suksesshëm, duke mundur një rival të fortë si bullgarët e Akademic, që e udhëhoqën ndeshjen në 20 minutat e para.
Ndërsa në pjesën e dytë ishin basketbollistët durrsakë ata që dominuan në fushë, duke përmbysur disavantazhin dhe korrën një sukses të vështirë, por të merituar pas minutave shtesë, në fund të një loje dramatike dhe emocionuese, fitore që u jep edhe dy pikët e para.
Teuta është skuadra e vetme shqiptare që luan në këtë edicion të Ligës Ballkanike (BIBL). Copes me 30 pikë e Wilson me 26 ishin dy shënuesit më të mirë të Teutës në këtë takim. Ndeshja e radhës së Teutës në Ligën Ballkanike më 23 tetor, sërish në Durrës, ndaj kosovarëve të Bashkimit.
Teuta – Akademic Bultex, 89-86 (18-22, 19-16, 21-15, 17-21/14-11)