Ende pa u shuar jehona e fitores së fundit, kampionët në fuqi të NBA, Golden State Warriors, ka marrë të radhës, teksa triumfoi thellë 124–149 ndaj Chicago Bulls në “United Center”, në një sfidë ku duket nga rezultati që nuk ka pasur shumë histori.
Stephen Curry shënoi vetëm 23 pikë kësaj here, në qendër të vëmendjes ishte Klay Thompson, që realizoi në total plot 52 pikë, të gjitha në më pak se 27 minuta lojë, pra në vetëm tri perioda.
Një mbrëmje për t’u shënuar në kalendar për 28-vjeçarin, që ishte i saktë në plot 14 herë në gjuajtjet për tre, duke thyer rekordin e Stephen Curry-t (13), si dhe mban rekordin e numrit të pikëve në një ndeshje për këtë sezon. Gjithashtu, është rekordmeni i NBA për numrin e trepikëshave të realizuar brenda një pjese (dy periodat e para).
Në krahun tjetër, Los Angeles Lakers dhe LeBron James janë në krizë, këtë here janë mundur 124-120 në parketin e Minnesota Timberwolves. I papërmbajtshëm Jimmy Butler me 32 pikë, 4 asiste dhe 6 topa të kontrolluar poshtë koshit, duke i rrëmbyer skenën e më të mirit LeBron James, që shënoi në total 29 pikë, dha 7 asiste dhe rikuperoi 10 topa, por pa mundur të japë më shumë për fitoren.
Milwaukee Bucks dhe Toronto Raptors ishin dy skuadrat e vetme që nuk kishin pësuar humbje në këtë fillim sezoni të NBA. Në përplasjen mes tyre triumfuan Bucks 124-109, por në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t munguan “yjet” Giannis Antetokounmpo dhe Kawhi Leonard, që e zbehen disi spektaklin e kësaj përballjeje.
U desh koha shtesë për të përcaktuar fituesit në sfidën mes San Anotnio Spurs dhe Dallas Mavericks. Koha e rregullt përfundoi 102-102, por në fund triumfuan vendësit 113-108, falë formës së shkëlqyer të DeRozan që shënoi në total 34 pikë, ndërsa për Mavericks spikati Doncic me 31 pikë.