MENU
klinika

Apeli i zv/guvernatores Ahmetaj

Bankat e huaja të qëndrojnë në Shqipëri

15.11.2018 - 11:13

 

Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, iu bëri sot thirrje grupeve bankare europiane të frenojnë eksodin e tyre nga tregjet e rajonit tonë. Duke perifrazuar guvernatorin e Bankës Qendrore Europiane, zonja Ahmetaj tha se kjo valë largimesh largimi po thellon procesin e padëshiruar të fragmentarizimit.

Sipas saj, tregu bankar shqiptar ofron aktualisht një kthim që tejkalon koston mesatre të kapitalit dhe është mëse e kënaqshme, edhe krahasuar me tregjet e tjerë.

Banka e Shqipërisë organizoi të enjten Konferencën Rajonale me temë “Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme”. Konferenca trajtoi zhvillimet e deritanishme të rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Bashkimin Evropian dhe sfidat për zbatimin e tyre në rajonin tonë.

Zëvendësguvernatorja tha se bankat shqiptare përballen me sfida të shumta në këtë proces, por tashmë kuadri ligjor është i plotë dhe bankat kanë përgatitur planet e nevojshme të rimëkëmbjes.

“Gjatë ciklit të parë të kësaj pune për vitin 2018, kemi evidentuar një sërë çështjesh që kërkojnë vëmendje të veçantë në plan por edhe ndjekjen e tyre nga bankat. Banka e Shqipërisë duhet të ketë akses në një nivel sa më cilësor të informacionit të prodhuar nga bankat, me qëllim përzgjedhjen e duhur të strategjisë së ndërhyrjes së jashtëzakonshme; identifikimi i saktë i sistemeve operacionale të bankës të ndërlidhura me funksionet kritike është i rëndësishëm; njohja e mirë e marrëveshjeve kontraktuale dhe trajtimi përkatës i tyre është domosdoshmëri, dhe veçanërisht sigurimi i burimeve të financimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme përbën sfidë,” tha zj.Ahmetaj.

Që prej fillimit të vitit 2017, Shqipëria ka një ligj për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Ky ligj synon që sistemi të jetë i përgatitur përballë goditjeve në mundshme dhe, në çdo rast, shpëtimi i bankave të mos bëhet me fonde publike, por me një fond që do të ngrihet me kontributin e vetë bankave.

Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme do të plotësohet gradualisht vit pas viti, deri sat ë arrijë vlerën e 0.5% të detyrimeve totale të sistemit bankar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Forcimi i kapitalit vendas

Dossier/ Si po shqiptarizohet tregu