MENU
klinika

NBA

Bucks bien përsëri, McCollum 40 pikë

07.11.2018 - 11:06

Në “Moda Center” të Portland, të zotët e shtëpisë kanë fituar 118-103 ndaj Milëaukee Bucks. I papërmbajtshëm për Blazers CJ McCollum, autor i një paraqitjeje të jashtëzakonshme me 40 pikë, 6 asiste dhe 5 topa të kontrolluar poshtë koshit.

Mbetet shumë pas në statistika “ylli” i Bucks, Giannis Antetokounmpo, që realizoi vetëm 23 pikë, dha 6 asiste dhe kontrolloi 9 topa. Skuadra nga Oregoni me këtë sukses shkon në kuotën e 8 fitoreve në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Bucks pësuan humbjen e dytë në 10 takime të zhvilluara gjithsej, duke u renditur të dytët në Lindje pas Toronto Raptors.

Vijon paraqitja e mirë e Brooklyn Nets, që këtë radhë triumfuan 82-104 në parketin e Phoenix Suns. Spikati në këtë përballje LeVert me 26 pikë, ndërsa Russell shtoi edhe 15 pikë të tjera për Nets.

Luca Doncic mbetet inspiruesi i Dallas Mavericks, që përtej vështirësive të fillimsezonit, u kthyen më në fund te fitorja pas një serie të gjatë humbjesh. Talenti slloven shënoi 23 pikë në suksesin 119-100 ndaj Washington Wizards, për të cilët nuk mjaftoi paraqitja e mirë e John Wall, që e mbylli takimin me 26 pikë, 10 asiste dhe 4 topa poshtë koshit.

Siguruan fitoren e 6-të sezonale Charlotte Hornets, 113-102 ndaj Atlanta Hawks, duke shfrytëzuar formën e mirë të Kemba Walker, që pati statistikat më të mira: 29 pikë, 7 asiste dhe 3 rebound.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN