MENU
klinika

NBA

50 pikë për Harden, Rockets mposht Lakers

14.12.2018 - 11:51

Plot 50 pikë për James Harden, i cili thuajse i vetëm në “Toyota Center” mposhti Los Angeles Lakers, teksa Houston Rockets e fituan me rezultatin 126-111. “Mjekroshi” rezultoi thjesht i papërmbajtshëm, duke dhënë edhe 11 asiste dhe kontrolluar 10 topa poshtë koshit, për një “triple double” që do të ketë lënë pa fjalë edhe LeBron James.

“Ylli” i Lakers, ishte më i miri në radhët e kalifornianëve me 29 pikë, por që ishin të pamjaftueshme para performancës për kopertinë të Harden. Një fitore morali kjo për Houston, që duhe të ruajë ecurinë pozitive për t’iu afruar sa më shpejt zonën play-off.

San Antonio Spurs morën një fitore të lehtë 125-87 përballë Los Angeles Clippers, me kalifornianët që zhvilluan një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit. Spurs e patën të lehtë me dyshen Aldridge-Gay, me 48 pikë në total, duke siguruar fitoren e katërt radhazi, që i ngjit në vendin e 10-të në Perëndim.

Phoenix Suns fituan 99-89 me Dallas Mavericks, por më shumë se suksesi i ekipit nga Arizona përbën lajm rikthimi mbi parket i Dirk Noëitzkit, që mungonte për shkak të një dëmtimi në kavilje që nga muaji prill. 6 minuta u aktivizua basketbollisti gjerman i Mavericks, i cili bëhet i pari lojtar që luan për 21 sezone radhazi me të njëjtën skuadër.

Për Suns, që siguruan fitoren e pestë sezonale, që gjithsesi nuk i largon nga fundi i renditjes në Perëndim, spikati me 30 pikë T.J. Warren, ndërsa Jamal Crawford shtoi 17 pikë të tjera.