MENU
klinika

Legjenda e basketbollit

Fagu: 50 vjet më parë, basketbolli si në Europë

28.12.2018 - 22:50

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë, ekipin e basketbollit “Partizani” për meshkuj të vitit 1968 me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për përfaqësimin e shkëlqyer të basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare”.

Pas marrjes së dekoratës në emër të asaj skuadre, legjenda e basketbollit shqiptar, Agim Fagu, mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, ku ndër të tjera theksoi: “Zoti President, faleminderit për nderimin e madh që i bëni ‘Partizanit’ edhe basketbollit!

Dua t’ju përcjell juve respektin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë brezave të basketbollistëve të ‘Partizanit’ që për 7 dekada bënë historinë më të bukur të sportit të basketbollit në Shqipëri.

Për këtë arsye ata ishin frymëzues dhe edukatorë të brezit të të rinjve shqiptarë, sepse ata i dhanë atij brezi më shumë bukuri, më shumë dashuri, i dhanë më shumë kënaqësi dhe për këtë arsye të rinjtë e asaj kohe i quajtën ata idhujt e tyre.

Duke vlerësuar ekipin e basketbollit, punën dhe kontributin e tyre unë besoj se Ju në këtë rast i dërgoni një mesazh direkt të gjithë atyre që drejtojnë sportin shqiptar, që për mëse 25 vjet lëngon në shpresën e fatit, që nuk duket gjëkundi të afrohet ende.

Ju po dekoroni sot përveç ‘Partizanit’ disa nga protagonistët e asaj nate, që unë do ta quaja një nga kulmet e historisë së lavdishme të sportit shqiptar.

Ajo natë i bëri shqiptarët më të lumtur, i bëri shqiptarët më të guximshëm, i bëri shqiptarët të besojnë dhe të kenë më shumë besim se ata janë si e gjithë Europa!

Me dashje apo pa dashje ajo natë i detyroi specialistët dhe gazetarët më të shquar të kontinentit të shkruajnë në gazetat më prestigjioze të Europës: Në Shqipëri luhet basketboll modern, luhet basketboll me një “B” të madhe!

astrit greva
astrit greva

Zoti President, unë ju falënderoj për një gjë shumë të rëndësishme të sportit shqiptar dhe të historisë së Shqipërisë. Ju e flisni historinë e Shqipërisë me një shqipe të pastër”, – tha ish-kapiteni i “Partizanit” basketboll meshkuj, Agim Fagu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


50-vjetori i ndeshjes historike

Presidenti dekoron ikonat e basketbollit