Inter ka gëzuar tifozët me një gol shumë të vonë ndaj Napolit, duke fituar 1-0, për të konsoliduar kështu vendin e tretë në renditje. Një fitore me vlera për moralin zikaltër dhe një “komerdare” për Spalletti-n. Ndërsa Napoli humb shansin e artë t’i afrohet Juventusit kryesues.
Ishte një ndeshje monotone, shumë e mbyllur, por që në fund fitorja i takoi Interit. Pjesa e parë ishte e dominuar për Interin të cilët patën një mundësi të mirë për të shënuar me Icardin në minutën e 42-të te ndeshjes, por nga vija e portës topin e largoi Koulibaly.
Para këtij rasti Icardi kishte goditur shtyllën që në minutën e parë të ndeshjes, për të cilën gjë mund të themi se ishte i pafat sonte. Në pjesën e dyët pati një ringjallje të Napolit deri në minutën e 81-të, kur Koulibaly ndëshkohet me karton të kuq.
E derisa mendohej që ndeshja do të përfundonte pa fitues, kështu nuk mendoi Lautaro Martinez, që shënoi në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë, një gol që i dha fitoren skuadrës vendase. Pas golit, Insigne është ndëshkuar me të kuq.