Spektakli i NBA vazhdon nga dita në ditë, me surpriza dhe emocione. LeBron James shënoi në ndeshjen e fundit më shumë se sot, por nuk mjaftoi, ndërsa sot shënoi 22 pikë dhe Lakers mposhtën 112-104 New Orleans, duke u rikthyer te suksesi pas dy humbjeve.
Një ndeshje e dominuar nga ekipi kalifornian, që pati një epërsi të lehtë gjatë gjithë kohës, duke e merituar fitoren. LeBron James realizoi një “triple double”, autor i 22 pikëve, 12 rebound e 14 asist, ndërkohë që të pestë titullarët e ekipit kalifornian realizuan mbi 10 pikë.
Pa probleme fiton skuadra e San Antonio, që mposhti 124-98 Minnesota, ndeshje e dominuar nga Spurs, me 7 lojtarë që realizuan mbi 10 pikë. Lojtarët e stolit realizuan 59 pikë, ndërkohë që u dallua Forbes, autor i 22 pikëve.
Zhgënjen skuadra e Boston, që u mund në fushën e saj 120-107 nga Milwaukee, një përballje mes dy ekipesh pretendente në Lindje. Antetokounmpo me 30 pikë ishte sërish lider për skuadrën e Bucks.
Vijon të kryesojë renditjen në Lindje skuadra e Toronto, që mundi 126-110 Cleveland, takim që pati si protagonist skuadrën kanadeze. Leonard realizoi 37 pikë, lider për Toronto.
Fiton edhe skuadra e Utah Jazz, që mundi 120-90 Portland, takim ku diferencën në parket e bëri Rubio me 24 pikë, ndërsa Atlanta mposhti 114-107 New York falë 22 pikëve të Bazemore.