Elseid Hysaj, mbrojtësi i djathtë i Napolit, me shumë mundësi do të largohet në verë nga italianët. Zërat e merkatos kanë qenë të shumta dhe më së shumti emri i shkodranit është lidhur me Chelsea e drejtuar nga Maurizio Sarri.
Tekniku italian e njeh mirë Hysajn dhe londinezët nuk duan të bëjnë eksperimente. Sigurisht, që kur vjen puna te pagesa gjithçka ngec, pasi te Chelsea presin që Napoli të ulë pretendimet financiare. Klauzola e Hysajt është 50 milionë euro.
Ndërkohë, për shkodranin interesohet edhe Arsenal, që kërkon një mbrojtës të djathtë. Gjithsesi, Chelsea shikohet si favorit, madje është gati ta mbyllë marrëveshjen që në janar dhe ta lërë Hysajn deri në verë te Napoli në huazim.
I interesuar është edhe Paris SG, por francezët i pengon fair-play financiar dhe nuk mund të blejnë për momentin. E vetmja mundësi është kalimi në formë huazimi, por për Napolin nuk vlen shumë ky skenar. (Sportekspres)