MENU
klinika

NBA

Warriors kthehen te fitorja, kryeson Denver

30.12.2018 - 11:45

Kampionët në fuqi të NBA janë rikthyer te fitorja. Pas 2 humbjesh radhazi, Golden State Warriors fituan 115-105 ndaj Portland Trail Blazzers, sukses që ngjit skuadrën e Warriors në vendin e dytë të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Një ndeshje e dominuar nga miqtë, që u shkëputën në periodën e dytë dhe e ruajtën avantazhin deri në fund. Trioja e përbërë nga Thompson-Durant-Curry bëri diferencën në fushë, duke realizuar së bashku 82 pikë, ndërsa për Portland u dallua Lillard me 40 pikë, por që mbetën thjeshtë për statistikë.

Fiton edhe Houston Rockets, që falë 41 pikëve të Harden, mundi 108-104, New Orleans jashtë fushe. Skuadra e San Antonio Spurs mori gjithashtu një fitore shumë të rëndësishme, pasi mposhti me rezultatin 122-111 Los Angeles Clippers, në një përballje mes dy ekipesh që synojnë titullin në Perëndim.

Fitorja e ekipit mik u vendos në pjesën e dytë, me Aldridge që realizoi 38 pikë, mbështetur edhe nga DeRozan, me 25 pikë e 13 rebound,me dy basktebollistët e Spurs që ishin të papërmbajtshëm në parket.

Jashtë fushe triumfon edhe skuadra e Boston Celtics, që mundi 112-103 Memphis Grizliess, ndeshje ku vendasit u shkëputën deri në 20 pikë (Conley 26 pikë). Por në minutat e fundit Boston përmbysi shifrat me Irving (26 pikë) e Morris (22).

Vijon të mbyllë renditjen në Konferencën e Lindjes skuadra e Cleveland, që u mund 111-108 nga Atlanta, ndeshje me emocione në minutat e fundit. Carter e Young realizuan nga 21 pikë për Atlantën në këtë sfidë.