MENU
klinika

NBA

Warriors thyhen, “mësim” nga Raptors

13.12.2018 - 11:32

Toronto Raptors ndërprenë serinë pozitive të Warriors, duke fituar me rezultatin 93-113, ku përcaktuese ishte pjesa e parë e përballjes, me skuadrën kanadeze që siguroi një avantazh prej 18 pikësh, për ta administruar më qetësi lojën në dy periodat e fundit.

Kevin Durant e bëri mirë pjesën e tij, duke shënuar 30 pikë, por u mbështet pak nga pjesa tjetër e skuadrës, me Klay Thompson dhe Stehen Curry-n që shënuan vetëm 14 dhe 10 pikë secili. Raptors u bazuan më shumë në lojën në grup, të udhëhequr nga dyshja Lowry-Ibaka me 43 pikë në total.

Më shumë interes u prit edhe përballja mes Indiana Pacers dhe Milwaukee Bukcs, që u mbyll me fitoren e vendësve me rezultatin 113-97. Edhe në këtë sfidë ndikoi më së shumti diferenca prej 19 pikësh e krijuar në mesin e periodës së dytë, që u dha mundësi Pacers të ishin më të qetë në vazhdimin e lojës.

Plot 6 basketbollistë të Indianas shënuan 12 apo më shumë pikë, ku u dalluan Young e Turner respektivisht me 25 dhe 23 pikë, ndërsa për Bucks më i miri rezultoi Bladsoe me 26 pikë. Për Pacers kjo ishte fitorja e 18 sezonale, aq sa ka arritur edhe Milwaukee.

New Orleans Pelicans, falë formës se jashtëzakonshme të Anthony Davis, kaloi 118-114 Oklahoma City Thunder. “Ylli” i Pelicans e mbylli takimin me statistika të frikshme, plot 44 pikë e 18 topa të kontrolluar poshtë koshit.

Boston Celtics arritën të fitonin vetëm pas kohës shtesë 125-130 në parketin e Washington Wizards, falë Irving, që kishte statistikat më të mira me 38 pikë dhe 7 asiste, duke fituar edhe duelin brenda sfidës me Wall që realizoi 34 pikë dhe dha plot 13 asiste.