MENU
klinika

NBA

Curry fantastik me 48 pikë për Warriors

14.01.2019 - 12:09

Një sukses me vuajtje për Golden State Warriors në shtëpinë e Dallas Mavericks, por në fund arritën të merrnin një fitore të çmuar 114-119, që ishte e katërta radhazi për ta.

Vazhdon të shkëlqejë për Dallas, Luka Doncic, që realizoi 26 pikë, por përballë Stephen Curry-t, që e mbylli takimin me plot 48 pikë, 33 prej të cilave me gjuajtjet nga distanca, talenti i madh slloven u duk i vogël.

Ekuilibër edhe në sfidën mes Denver Nuggets dhe Portland Trail Blazers, e fituar nga të zotët e shtëpisë 116-113. I papërmbajtshëm për Nuggets Nikola Jokic, me 40 pikë, 8 asiste dhe 10 topa të kontrolluar poshtë koshit, por nuk duhet nënvlerësuar edhe ndihma e madhe që dha Jamal Murrey me 24 pikët e tij.

U duk sikur nuk do të përfundonte kurrë përballja mes Washington Wizards dhe Toronto Raptors. Vetëm pas dy kohëve shtesë skuadra kanadeze arriti të triumfonte me vetëm dy pikë diferencë 138-140.

Koha e rregullt përfundoi 124-124, por edhe në përfundim të 5-minutëshin e parë shtesë nuk doli një fitues (131-131). Kohën e dytë shtesë e nisi më mirë Washington, por një 3-pikësh i Serge Ibakas 15 sekonda para fundit u dha suksesin Raptors.

Në parketin “Capital One Arena” dominuan KawNhi Leonard (41 pikë e 11 rikuperime) dhe Bradley Beal (43 pikë, 15 asist dhe 10 rikuperime), por përtej statistikave më të mira të “yllit” të Wizards, festa ishte për kundërshtarin e tij të Raptors.

Dominim i Milwaukee Bucks në parketin e Atlanta Hawks 114-133. Sërish në plan të parë doli Giannis Antetokoumpo me 33 pikë, i ndihmuar edhe nga Eric Bledsoe  me 24 pikë dhe 10 asiste. Në radhët e Hawks më i miri rezultoi Trae Young me 26 pikë dhe 10 rikuperime.

Vazhdojnë të vuajnë Los Angeles Lakers pa LeBron James. Skuadra e drejtuar nga Luke Walton u mposht 95-101 brenda në “Stpales Center” nga ish-ekipi i “Mbretit” James, Cleveland Cavaliers.