MENU
klinika

Huaja, sa 35.3% e PBB-së

Ekonomia më pak e kredituar në Rajon

07.01.2019 - 12:08

Kreditimi i sektorit privat të ekonomisë shqiptare, në terma realë, ishte në rënie edhe për vitin 2018. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar kredia ra në 35.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredia ka rënë me 1.3 pikë përqindje. Në fakt, kjo llogari është mbështetur në prodhimin e vitit të kaluar. Po të llogarisim rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2018, kreditimi në terma realë do të rezultojë edhe më i ulët.

Rënia e kredisë është përcaktuar e gjitha nga kreditimi i biznesit. Portofoli i kredisë për sipërmarrjen ka rënë në 23.2% të PBB-së, ndërsa ai i kredisë për individë është i qëndrueshëm në 12.1%.

Shqipëria duket të jetë ekonomia më e nënkredituar e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Mbështetur në të dhënat e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kredia për sektorin privat në vendet e Rajonit varion nga afro 39% për Kosovën deri në mbi 51% për Malin e Zi. Rënia e kreditimit në Shqipëri gjatë viteve të fundit erdhi sidomos prej ngërçit të kredisë për biznesin. Kjo evidenton edhe problematikën e një përqendrimi relativisht të lartë të kredisë në këtë segment.

Analiza e kredisë sipas segmenteve të tregut tregon se në shumë prej vendeve të Europës Qendrore dhe lindore, individët janë më të financuar nga sektori bankar sesa bizneset. Kështu, në Poloni, Kroaci, Republikë Çeke dhe Rumani, raporti i kredisë për individë ndaj PBB-së është dukshëm më i lartë, se ai i kredisë për biznese ndaj PBBsë. Në vende të tjera si Serbia apo Maqedonia, ky raport është ndjeshëm më i balancuar, ndërsa në Shqipëri dhe Bullgari bizneset përdorin dukshëm një levë më të madhe financiare nga sektori bankar sesa individët.

Gjithashtu, vërehet se shumica e vendeve ku bizneset janë më të financuara nga sektori bankar, kanë raport në rënie të kredisë për biznese ndaj PBB-së dhe rritje të raportit të kredisë për individë. Kjo tregon se bankat po përpiqen të diversifikojnë huadhënien dhe të sigurojnë një shpërndarje më të gjerë të rrezikut kreditor, ndonëse ky proces do të kërkojë një kohë të gjatë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritje 20% për vitin e kaluar

136 milionë euro kredi “jashtë bankave”

Shtatë vjet në rënie

Ja sa kredi ka marrë biznesi i madh