MENU
klinika

NBA

Humbin Lakers dhe rrezikojnë “play-off”-in

05.01.2019 - 12:53

Los Angeles Lakers ngjason me një skuadër pa busull kur mungon LeBron James. Mbreti vlen më shumë se 75% e skuadrës te Lakers, të cilët pa yllin e tyre pësuan humbjen  e 2-të radhazi dhe të 4-n në 5 ndeshjet e fundit, duke rrezikuar edhe vendin e 8-të në konferencën e Perëndimit, pozicionin e fundit që të kualifikon në play-off.

Në Staples Center 16-herë kampionët e NBA ranë përballë New York Knicks me rezultatin 112-119. Këmbanat e alarmit kanë nisur të bien te kalifornianët pasi të mundesh nga një skuadër që vjen nga 8 humbje radhazi dhe po zhvillon një nga sezonet e saj më të dobëta në histori është një sinjal shumë i keq.

58 pikët e treshes Ingram-Caldwell Pope-McGee ishin të pamjaftueshme për LA Lakers të cilët pësuan disfatën e 18-të në 39 takime.

Por nëse skuadra e dytë më e titulluar në NBA po kalon një moment vërtetë të errët nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Oklahomën. City Thunder vijuan ecurinë pozitive me një fitore vërtetë të madhe brenda në Oregon përballë Portland Trail Blazzers me rezultatin 111-109.

Falë 37 pikëve të Paul George i cili në këtë sezon po realizon edhe më shumë se ylli i Oklahomës Rusell Westbrook i cili e mbylli ndeshjen me 31 pikë, skuadra e trajnerit Billy Donovan mori një fitore me peshë e cila e mban në vendin e 2-të në Perëndim dhe për më tepër nëse vazhdon me këtë ritëm, Oklahoma mund t’i kërcënojë pozicionin e parë surprizës Denver Nuggets.

Fitore e thjeshtë e Boston Celtics që në TD Garden kaloi pa probleme me rezultatin 114-93 Dallas Mavericks. Brown ishte pikëshënuesi më i mirë i Celtics me 21 pikë, megjithatë për t’u përmendur është paraqitja e Gordon Hayward i rikthyer më i fortë se kurrë pas atij dëmtimi horror ku theu këmbën duke humbur të gjithë sezonin e kaluar.