Ish e dashura e Emiliano Sala, Berenice Skhair, ka publikuar një mesazh prekës, të cilin ia ka dedikuar lojtarit, i cili u zhduk bashkë me aeroplanin privat me të cilin po udhëtonte të hënën, nga Franca në Uells.
Policia e Francës dhe klubi Nantes e konfirmuan dje se Sala ishte njëri ndër dy personat të cilët kishin udhëtuar me atë aeroplan mbrëmë. Aeroplani u zhduk pasi e humbi kontaktin me qendrën në Casquets.
“Mos i ndaloni kërkimet për të, ju lutem. Nuk mund ta kuptoj këtë aksident ose ta kuptoj faktin që ata e kanë pezulluar kërkimin për shkak të motit të keq, po humbin kohë”, – ka shkruar Skhair.
“Nuk mund të ndalem duke menduar për ty ose të mendoj se ti je mirë dhe i sigurt. A kanë afat skadimi ëndrrat? Më së shumti pendohem që nuk të kam treguar për gjithë atë që e ndiej nga zemra.
Nuk di si ta shpreh veten dhe kjo është diçka që unë do të tentoj ta mësoj. Ata që më njohin mua, e dinë se si më shkëlqejnë sytë kur flas për ty. Jam me fat që të kam njohur. E kam zemrën e thyer dhe nuk mund ta pranoj këtë. Kam besim dhe shpresë!”
Kërkimi për ta gjetur Sala dhe bashkudhëtarin e tij u ndalën mbrëmë, ndërsa sot policia i ka filluar kërkimet përsëri. Policia beson se Sala dhe piloti mund të kenë shpëtuar, duke u futur në një varkë shpëtimi.
Cardiff City e kishte zyrtarizuar transferimin e Sala nga Nantes për 17 milionë euro të shtunën dhe Sala ishte kthyer në Francë për t’u thënë lamtumirë ish-bashkëlojtarëve të tij, para se ta fillonte pjesën e mbetur të sezonit me klubin e ri.