Bankat shprehen se presin t’i lehtësojnë disi standardet e kreditimit për bizneset në tremujorin e parë të vitit 2019, më së shumti në kreditë e destinuara për qëllime likuiditeti, në segmentin e biznesit të madh.
Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues, i kryer nga Banka e Shqipërisë, tregoi se kreditimi i biznesit ngelet i shtrrënguar në tremujorin e katërt 2018, por, së paku, bankat dhanë sinjale lehtësimi për fillimin e këtij viti.
Standardet e kreditimit për kategorinë e bizneseve në tremujorin e fundit të vitit 2018 mbetën të pandryshuara. Ato u perceptuan të njëjta në të gjitha segmentet e kësaj kategorie, si për biznesin e vogël ashtu edhe atë të madh, sikurse dhe për kredinë dhënë me qëllim investimi, apo atë për likuiditete.
Ndërkohë, kërkesa për kredi e bizneseve u raportua më e lartë në tremujorin e katërt të vitit. Ajo u perceptua nga bankat më e lartë në segmentin e bizneseve të mëdha, si edhe në kredinë akorduar për financimin e investimeve.Në të kundërt, për kreditë me qëllim likuiditeti, kërkesa u raportua më e ulët.
Faktorët e perceptuar nga ana e bankave me ndikim në kërkesën e shtuar për kredi të bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2018, ishin nevoja më e lartë për financimin e investimeve, si edhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit.
Në kahun ngadalësues të kërkesës për kredi, sipas gjykimit të bankave, duket se kanë vepruar kryesisht rënia e besimit të biznesit, si edhe perceptimi mbi situatën ekonomike dhe perspektivën e saj.