MENU
klinika

Futbollisti i zhdukur

Yjet e futbollit financojnë kërkimin e Sala-s

26.01.2019 - 12:28

Yjet e futbollit janë bërë bashkë për një kauzë madhorë. Pas lajmit se kërkimet për lojtarin e zhdukur të Cardiff-it, Emiliano Sala, nuk do të vazhdojnë, një numër i madh i futbollistëve të famshëm kanë dhuruar pará për ta financuar vazhdimin e kërkimit.

N’Golo Kante, Ilkay Gundogan, Clorentin Tolisso, Lucas Lima, Geoffrey Kondogbia, Benoit Costil, Leo Dubois, Demaray Gray, Fabio, Clement Grenier dhe Nordi Mukiele janë disa lojtarët që kanë kontribuar në fondacionin e themeluar nga familja e Sala-s.

Kërkimi për sulmuesin argjentinas, i cili u transferua te klubi i Premier League javën e kaluar, përfundoi të enjten, pasi që policia e Guernsey vendosi të mos e vazhdojë këtë process, teksa nuk gjeti asnjë shenjë të aeroplanit gjatë tri ditëve të kërkimit.

Por, familja e Salas nuk është e gatshme të dorëzohet dhe tani është bërë e ditur nga e përditshmja angleze “The Sun” se ata do të paguajnë anije dhe aeroplanë për ta gjetur Sala-n dhe për ta zbuluar se çfarë i ka ndodhur atij.

Nëna e argjentinasit, Mercedes Sala, është duke udhëtuar sot për në ishujt afër vendit ku dyshohet se është rrëzuar aeroplani. Në këtë vend tashmë ka arritur agjenti i lojtarit të zhdukur, Meissa N’Diaye.

Dje, motra e Sala-s, Roma, duke qarë, kërkoi nga policia që të mos i ndalin kërkimet derisa ta gjejnë vëllain e saj, i cili është zhdukur që katër ditë.

Policia ka bërë të ditur se ka shumë pak mundësi që Sala dhe piloti të kenë shpëtuar. Aeroplani i tyre po udhëtonte nga Nantes në Cardiff  dhe u zhduk pasi e humbi kontaktin me qendrën Casquets për kontrollin e trafikut ajror, rreth 13 kilometra larg ishullit Guernsey të Britanisë së Madhe.

Sala kishte udhëtuar me të njëjtin aeroplan edhe për udhëtimin e tij nga Cardiffi në Francë dhe sapo kishte zbritur, u kishte thënë miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij se udhëtimi nuk kishte qenë i rehatshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN