MENU
klinika

Ekspozita e Genti Tavanxhiut

Abstraksionizmi shqiptar shkon në Japoninë e largët

11.02.2019 - 11:56

Ditë pas dite arti shqiptar po formohet në kualitetin bashkëkohor dhe i ndjekur në të gjitha rrymat apo disiplinat e saj, për ta përfaqësuar më denjësisht Shqipërinë. Ka shumë shqiptarë të talentuar sa dhe po fitojnë suksese të mëdha në vendet më të përparuara të botës. Një rast i tillë suksesi është ai i Genti Tavanxhiut. Artisti shqitpar po prezanton idetë e artit të tij në një vend të largët.

Suksesi i artit shqiptar e kalon kontinentin dhe shkon në Japoninë e largët me artin e artistit të njohur Genti Tavanxhiu. Kjo ekspozitë është çelur në ”Galeri 301” në Kobe (Osaka) të Japonisë.

Nuk është hërë e parë, artisti ekspozon për herë të tretë në këtë shtet. Ai është një artist bashkëkohor dhe i pëlqen globalizimi i artit, sa do dhe ta shfrytëzojë atë kudo për ta indentifikuar edhe veten si i tillë, qytetar i botës në art. Është në përgatitje dhe po mendon dhe përgatitet që të vijë dhe në Shqipëri.

Për këtë ekspozitë autori shrpeh se i është dashur të punojë për dy vjet. Kjo ekspozitë vjen dhe falë ndimesës së Kinzo Soga, ai mirëpriti projektin e Gentit. Kuratorë në këtë ekspozitë janë Takeshi Kubo dhe Nao Smith.

Abtraksionizmi i tij shprehet jo si ekspozitat e zakonshme, spektakolarja dhe e pazakonta e vendosjes së pikturave qëndron në faktin se thyhet tradita që zakonisht shihet në galeritë e artit dhe kjo vjen dhe si bashkëpunim i dy kuratorëve të kësaj ekspozite.

Ndryshe nga galeritë dhe ekspozitat që jemi mësuar të shohim, veprat ekspozohen në pothuajse gjithë sipërfaqen e rrafshët të dyshemesë dhe të gjithë galerisë, të ekspozohen në xhama dhe duke i lënë për kontrast muret e bardha e të zbrazëta. Në këtë ekspozitë mund të admirohen rreth 20 piktura që janë më të mirat e koleksionit 2018. Kjo ka qenë edhe një suprizë për publikun e atjeshëm.

Sipas artistit, punët mbajnë një linjë, që afrohet shumë me ekspresionizmin abstrakt.

“Gjendje kjo e nevojshme sidomos për një skulptor, i cili ngurtësohet në procesin e ngadalshëm dhe shumë afatgjatë të gdhendjes në gur. Lindi kështu kërkesa për një shkarkim energjie, e cila ishte akumuluar prej kohësh. Jam përmbajtur e kujdesur për brishtësinë e letrës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë pastërtisë dhe freskisë së ngjyrave. Kompozimet janë të lira dhe nuk varen nga pasqyrimi i ndonjë ngjarjeje, objekti apo çfarëdo reference tjetër që vëzhgohet në natyrë. Pikturat janë të punime me akrilik në telajo dhe letër. Ishte kjo një zgjidhje që ka të bëjë me transportimin e punimeve kaq larg dhe kostot përkatëse edhe pse dëshira ishte të ekspozoja dhe skulptura pse jo, po të shpresojmë për një rast tjetër të afërm”, pohon artisti Tavanxhiu.

Genti Tavanxhiu ka lindur në Shkodër, në vitin 1973. Ka mbaruar Liceun Artistik në Shkodër Është larguar nga Shqipëria në vitin 1993 në Itali. Tashmë Genti Tavanxhiu është një nga shqiptarët e njohur sidomos në vepra monumenti.

Ai është i apasionuar pas materialeve të ngurta si merrmeri, gjë që me anë të abstraksionizmit të tij të tipit minimalist, të ndikojë në format gjeometrike që ai iu jep shprehive në gdhendje. ‘’Si gjithmonë, filozofia ime e punës është një zgjidhje e balancuar”.

Ai shprehet në faqen e tij personale në internet se: ‘’zakonisht, kam kërkuar për të prezantuar stilin tim, një gjuhë abstrakte me tendenca minimaliste, nganjëherë duke përdorur simbolet dhe linja me ndikim të menjëhershëm.’’

Ekspozita në Kobe të Japonisë do të qendrojë deri në 11 shkurt.

Përgati Eugent Kllapi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN