Do të jetë e gjitha durrsake finalja e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Teuta dhe Goga Basket janë dy ekipet finaliste, të përcaktuara mbrëmjen e sotme.
Ndeshjet gjysmëfinale u luajtën në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet, aty ku ekipet e Tiranës dështuan të sigurojnë një biletë për në finale.
Ekipet durrsake konfirmojnë momentin e mirë që po kalojnë, duke dueluar nesër në mbrëmje (2 shkurt, ora 19:00) për trofeun e parë sezonal.
Teuta do të mbrojë kështu trofeun fituar një vit më parë në derbin ndaj Goga Basket, ndeshje që nuk do të luhet në Durrës, por në kryeqytet.
KUPA E SHQIPËRISË – GJYSMËFINALE MESHKUJ
Teuta – Partizani 75-72
Tirana – Goga Basket 81-96
Teuta, pasi ka hipotekuar një vend në play off të Ligës Ballkanike, fitoi sot në mbrëmje me vështirësi 75-72 ndaj Partizanit.
Pa probleme fiton edhe Goga Basket, që mundi me lehtësi 96-81 Tiranën, një ndeshje ku epërsia e ekipit durrsak erdhi në rritje nga perioda në periodë.