MENU
klinika

NBA

Golden State rimerr kreun në Perëndim

25.03.2019 - 11:40

Sezonit të rregullt të NBA po i vjen fundi, megjithatë, edhe skuadrat që e kanë siguruar pjesëmarrjen në play-off vijojnë të dhurojnë spektakël.

Fitore e bukur e Golden State Warriors 121-114 ndaj Detroit Pistons, me kampionët në fuqi të NBA, që rimarrin kreun e Konferencës së Perëndimit. Stephen Curry e mbylli sfidën me 26 pikë, ndërsa Klay Thompson shtoi edhe 24 pikë të tjera për skuadrën e drejtuar nga Steve Kerr.

Toronto Raptors, tashmë pa motivimin e duhur, pasi janë të blinduar në vendin e dytë në Lindje, humbën me vetëm një pikë diferencë 114-115 ndaj Charlotte Hornets.

Kawhi Leonard (28 pikë) kaloi në avantazh të zotët e shtëpisë 114-112, por një trepikësh i çmendur i realizuar nga Jeremy Lamb para se të binte sirena për përfundimin e takimit u dha suksesin Hornets.

San Antonio Spurs mori një fitore shumë të rëndësishme 96-115 në parketin e Boston Celtics, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në play off, falë edhe humbjes së Sacramento Kings, që është skuadra e vetme që mund t’ia rrezikojë vendin e tetë.

Të udhëhequr nga i papërmbajtshmi LaMarcus Aldridge, i cili realizoi plot 48 pikë dhe kontrolloi 13 topa, teksanët gjetën forca për t’u ringritur pas dy humbjeve radhazi e tashmë mendojnë të qetë për takimin e ardhshëm me Charlotte Hornets.

Në sfidën më të rëndësishme të mbrëmjes, Indiana Pacers dominoi në çdo aspekt ndaj Denver Nuggets, duke fituar me një rezultat të thellë 124-88. Spikati për Pacers kroati Bojan Bogdanovic me 35 pikë, ndërsa rivali i tij serb i Nuggets, Nikola Jokic, u ndal në 19 pikë e 11 “rebound”.

Sigurimi i një vendi në zonën play off mbetet tashmë formalitet për Houston Rockets, të tretët në Perëndim, që fituan 90-113 në parketin e New Orleans Pelicans.

Formacioni i Mike D’Antoni i dha drejtim sfidës që në periodën e parë me një rezultat të pjesshëm 19-33, pa e vënë në diskutim në asnjë moment suksesin. Shënuesi më i mirë ishte i zakonshmi James Harden me 28 pikë, i ndjekur nga Eric Gordon me 18 pikë, ndërsa për të zotët e shtëpisë 19 pikët e Frank Jackson ishin shumë pak për të rivalizuar skuadrën teksane.

Milwaukee Bucks dominoi ndaj Cleveland Cavaliers, duke triumfuar me rezultatin e thellë 127-105, falë “double-double” të të zakonshmit Giannis Antetokounmpo (26 pikë e 10 “rebound”) dhe lojës në grup, teksa 7 basketbollistë vendës arritën numër dyshifror pikësh.

Kevin Love me 20 pikë e 19 rikuperime dhe Jordan Clarkson me 19 pikë rezultuan më të mirët në radhët e Cavaliers, që pa LeBron James këtë sezon e kanë të pamundur të klasifikohen në zonën play off.

E meqë po flasim për “Mbretin” James, ishte pikërisht ish-i i Cavaliers inspiruesi i Lakers në fitoren 111-106 ndaj Sacramento King me “triple-double”: 29 pikë, 11 asiste dhe 11 “rebound”, i ndihmuar edhe nga Kyle Kuzma me 29 pikë.