MENU
klinika

NBA

James Harden mbetet një “përbindësh”

31.03.2019 - 11:17

Nëse ka një pretendent mbi të tjerët për MVP-në në NBA, ai është James Harden. “Ylli” i Houston Rockets arriti të regjistronte “triple-double” e pestë në karrierë me të paktën 50 pikë të shënuara.

Këto pikë ai i shënoi në suksesin 119-108 ndaj Sacramento Kings, që tashmë edhe matematikisht nuk kanë asnjë mundësi për të arritur zonën play off.

Statistikat e “Mjekroshit” më të famshëm të NBA-së në këtë përballje ishin të frikshme: 50 pikë, 10 asite dhe 11 topa të kontrolluar poshtë koshit.

Suksesi i Rockets mori më shumë vlerë edhe nga humbja e Portland Trail Blazers (rrëshqasin në vendin e katërt në Perëndim) 99-90 në parketin e Detroit Pistons, falë paraqitjes mbresëlënëse të Reggie Jackson, që realizoi 28 pikë.

E ndërsa në Konferencën e Perëndimit janë përcaktuar 8 skuadrat që do të marrin pjesë në play off, në Lindje gara vazhdon të jetë e ashpër, pasi ende nuk janë zyrtarizuar emrat e tri skuadrave të fundit që do të vijojnë garën përtej sezonit të rregullt.

Suksesit të Detroit Pistons iu kundërpërgjigjën Brooklyn Nets, që iu imponuan 110-96 Boston Cetlics. Spikati në radhët e Nets D’Angelo Russell me 20 pikë e 10 “rebound”.

Fitore edhe për Miami Heat në parketin e New York Nicks 92-100, falë formës së shfaqur nga Dion Waiters, që e mbylli takimin me 28 pikë.