Kampionët e NBA, Golden State Warriors, përforcojnë pozitat në krye të renditjes në Konferencën e Perëndimit, pasi siguruan fitoren e shtatë në 10 takimit e fundit në shtëpinë e Memphis Grizzlies me rezultatin 103-118.
Ndeshje e ekuilibruar deri në periodën e fundit, me Grizzlies që qëndruan në lojë falë formës së mirë të Valanciunas (27 pikë dhe 13 “rebound) dhe Michael Conley (22 pikë e 8 asiste).
Por diferencën në fund e bënë trepikëshat e Kevin Durant, që e mbylli takimin me 28 pikë 5 asiste dhe 9 rikuperime, dhe të Stephen Curry-t, që shënoi në total po 28 pikë, dha 7 asiste dhe kontrolloi 10 topa.
Ngjiten në vendin e 7-të në Perëndim Oklahoma City Thunder, që fituan në shtëpi përballë Indiana Pacers me rezultatin 107-99. Ky takim u vendos në periodën e tretë me një rezultat të pjesshëm të pabesueshëm 24-0.
Shkëlqeu Paul George me 31 pikë, ndërsa Steven Adams shtoi edhe 25 pikë të tjera për Thunder. “Triple-double” nga Russell Westbrook, që e mbylli takimin me 17 pikë, 12 asiste dhe 11 “rebound”.
Portland Trail Blazers, ende nën shok për dëmtimin e rëndë të Jusuf Nurkic, e patën si shëtitje sfidën në parketin e Chicago Bulls, ku triumfuan 98-118.
Utah Jazz përfituan nga mungesa e LeBron James për t’iu imponuan 115-100 Los Angeles Lakers. Derrick Favors shënoi 20 pikë në vetëm 23 minuta lojë, ndërsa Rudy Gobert shtoi edhe 22 pikë e 11 “rebound” për Jazz.