MENU
klinika

Europa League

Anglezet ‘nuk lëshojnë pe’, fitojnë Arsenal e Chelsea

11.04.2019 - 23:23

Arsenal ka triumfuar në supersfidën e mbrëmjes në Europa League.

Të besuarit e Emery hodhën një hap tepër të rëndësishëm drejt kualifikimit duke mposhtur Napoletanët me rezultatin 2-0. Ishte mesfushori uellsjan Aaron Ramsey i cili zhbllokoi rezultatin në minutën e 15’ pas një assisti nga Maitland-Niles.

Skuadra e Ancelotit bëri ‘vetvrasje’ në minutën e 25’ kur një nga mbrojtësit më të mirë në Serine A, Kalidou Koulibaly shënoi në portën e vet duke i përkeqsuar gjërat për italianët. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të anglezëve ndërkohë që e dyta nisi me të njëjtën energji. “Gunners” me disa kombinime dhe kundërsulme të shpejta patën mundësinë ta trefishonin rezultatin por pa sukses.

Nga ana tjetër edhe Napoli pati disa raste të mira me Zielinskin dhe Insigne por fati nuk ishte në anën e italianëve. Rezultati ngeli i njëjtë edhe në pjesën e dytë duke u mbyllur me fitoren e topçinjve.

Edhe Chelsea i Maurizio Sarrit mori një fitore mjaft të vlefshme në fushën e Slavia Prague.

Blutë e Londrës nuk e patën të lehtë në Çeki por arritën të dalin me kokën lart nga takimi. Ndeshja u vendos nga një gol i Marcos Alonso në minutën e 87’ pas një krosimi të saktë nga braziliani Willian. Me këtë fitore anglezët kthehen në shtëpi të qetë, me një këmbë në fazën tjetër.

Një fitore në limit ka marë edhe Valencia në derbin spanjoll të Europa League.

Pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1, pas golave të Guedes dhe Cazorlës, por Valencia shënoi dy herë të tjera në minutat shtesë, duke ‘zhytur’ “nëndetësen e verdhë”.

I riu Joao Felix udhëhoqi Benficën, në sfidën ndaj Eintrachtit të Frankfurtit, të cilën këta të fundit e fituan me rezultatin 4-2.

Talenti portugez Felix, shënoi 3 herë dhe asistoi në golin e Dias duke u bërë protagonist absolut i ndeshjes. Golat e Jovic dhe Pacienca nuk i mjaftuan Frankfurtit të merte rezultat pozitiv, megjithatë shpresat e gjermanëve mbeten ende gjallë në ndeshjen e kthimit.