MENU

Profil

Ilhan Omar, muslimania që risolli në vëmendje sulmet e 11 shtatorit

14.04.2019 - 16:33

Ajo risolli edhe një herë në vëmendje sulmet e 11 shtatorit dhe tani gjendet pa dashur në një konflikt me Donald Trump.

Trump publikoi të premten një videoklip të titulluar “Kurrë nuk do të harrojmë”, në të cilin ai kritikon deklaratat e anëtares së Kongresit amerikan, Ilhan Omar, të bëra muajin e kaluar në seancën e Këshillit të Bashkëpunimit Amerikano-Islamik (CAIR).

Në fjalën e saj, Omar tha se CAIR u themelua pas 11 Shtatorit meqë themeluesit e tij kuptuan se disa njerëz kanë bërë diçka, ku si pasojë të gjithë muslimanët filluan të humbin liritë civile. Zyra e saj më pas sqaroi se CAIR është themeluar në vitin 1994, por se Omar kishte për qëllim të theksonte se organizata në fjalë ka intensifikuar punimet pas sulmeve terroriste të shtatorit. Kritikët, përfshirë edhe Trumpin, fokusohen tek fjalët e Omarit kur thotë se “disa njerëz kanë bërë diçka”, dhe e akuzojnë se me qëllim degradon peshën ose rëndësinë e sulmeve terroriste.

Në kundërpëgjigjen ndaj sulmeve të Trumpit, Omar thotë se do të vazhdojë betejën për të drejta të barabarta dhe për të sjellë lumturi te të gjithë amerikanët. “Asnjë person, pavarësisht se sa i korruptuar, i paaftë dhe i keq është, të mos vë në dyshim dashurinë time të palëkundur që kam për Amerikën”, tha Omar.

Por kush është Ilhan Omar?

Pothuajse një vit më parë, Minesota bëri historinë pas zgjedhjes së Ilhan Omar, një ish-refugjate myslimane me prejardhje somaleze në legjislaturën e shtetit amerikan.

Omar që është lindur në Somali dhe ka kaluar katër vjet në një kamp refugjatësh në Kenia, para se të shkonte në Amerikë në moshën 12 vjeçare, është bërë somalezo-amerikanja e parë e zgjedhur në Kongres.

Ajo më herët e kishte shkruar historinë kur ishte zgjedhur në legjislaturën e Minnesotas në vitin 2016, si somalezo-amerikanja e parë.

“Shpresoj se kandidatuara ime do të lejojë njerëzit që të kenë guximin për të inkurajuar njerëzit që nuk përshtaten në një demografi të caktuar për të kërkuar poste të ndryshme”, kishte thënë nëna e tre fëmjëve për HuffPost.

Që atëherë, Omar ka frymëzuar shumëkënd me luftën e saj për përfaqësimin e pakicave, duke përfshirë edhe prestigjiozen Time. Së fundi, revista paraqiti Omar në kopertinën e saj të 18 shtatorit.

Omar është renditur në mesin e 45 grave tjera që kanë thyer pengesat, në përpjekje për të ndryshuar botën.  Duke qenë myslimania e parë somalezo-amerikane që është bërë ligjvënëse dhe kongresiste, ajo është padyshim një risi në politikën e SHBA.

“Për komunitetin mysliman dhe somalez, gjinia ime ishte një problem, sepse politikaduhet të ishte rol i një mashkulli”, thotë Omar. “Pastaj ka pasur gjëra tipike me të cilat janë ballafaquar gratë kandidate, si p.sh, sa e papërgjegjshme duhet të jetë për një nënë që të dalë dhe të dedikojë aq shumë kohë jashtë shtëpisë. Askush nuk i pyet kurrë kandidatët meshkuj … se si ata presin të barazojnë jetën e tyre familjare”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN