Ka nisur prej disa ditësh faza play off në NBA teksa radhën për të zbritur në parket e kishte skuadra më e mirë e sezonit, Milwaukee Bucks, që priste në “Fiserv Forum”, Detroit Pistons.
Bucks fitoi lehtësisht me një diferencë të madhe pikësh 121-86, duke u treguar potencialin që në fillim kundërshtarëve.
Që në periodën e parë u regjistrua një diferencë e madhe prej 20 pikësh, me një rezultat të pjesshëm 38-18. Rezultati u thellua në 27 pikë në fund të pjesës së parë, 70-43, çka u dha mundësi vendësve ta ulnin disi ritmin për të mos shpenzuar energji të kota.
Gianis Antetokounmpo kishte statistikat më të mira të sfidës, duke realizuar 24 pikë, dha 4 asiste dhe kontrolloi plot 17 topa poshtë koshit.
Takimi i radhës do të zhvillohet pas tre ditësh sërisht në “Fiserv Forum”.
Fitore mori edhe Houston Rockets që u imponua 122-90 ndaj Utah Jazz.
Në qendër të vëmendjes ishte “ylli” i vendasve, James Harden, që iu afrua shumë “triple-double” me 29 pikë, 10 asiste dhe 8 “rebound”.
Paraqitje të mirë zhvilloi edhe e Rudy Gobert, por 22 pikët dhe 12 rikuperimet e francezit ishin shumë pak për të përballuar furinë e Rockets.