MENU
klinika

Shitjet dhe fitimet

Raporti i BSH-së: 53% e ndërmarrjeve në vështirësi

26.04.2019 - 13:31

Rreth 53 % e ndërmarrjeve të vogla në vendin tonë janë në vështirësi për shkak të rënies së shitjeve dhe fitimeve.

Mungesa e konkurrencës dhe borxhet e pashlyera problemet që kanë vënë në vështirësi bizneset.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit mbi gjendjen financiare dhe borxhet e ndërmarrjeve mikro.

Të dhënat e vrojtimit tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, aktiviteti i tyre dhe situata financiare paraqitet si në vijim: 53% e ndërmarrjeve mikro (1-4 të punësuar) pohojnë se shitjet e tyre janë ulur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, 36% pohojnë se shitjet kanë mbetur të pandryshuara dhe vetëm 11% e ndërmarrjeve pohojnë se shitjet janë rritur.

Të pyetur mbi pritjet e tyre gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2017, 42% e ndërmarrjeve mikro presin që shitjet të ngelin të pandryshuara, 37% presin që shitjet e tyre do të rriten, dhe 21% pohojnë se shitjet do të ulen.

Ndërsa në lidhje me rezultatet financiare, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2017, 50% e ndërmarrjeve pohojnë se ai është ulur, 39% shprehen se ka mbetur i pandryshuar dhe 11% shprehen serezultati financiar është rritur.

Ndërsa gjatë gjashtëmujorit të dytë të2017, 43% e ndërmarrjeve presin që rezultati financiar të mbetet ipandryshuar, 40% e tyre presin rritje të rezultatit financiar dhe 18%presin që rezultati financiar të ulet.

Në lidhje me zgjerimin (apo jo) të aktivitetit (apo të investimeve) paraqitur në Grafikun 5, 83% e ndërmarrjeve pohojnë se as nuk e kanë ndryshuar aktivitetin (apo investimet) gjatë gjashtëmujorit të parë të 2017 dhe as nuk presin që do të ndryshojë gjatë gjashtëmujorit në vazhdim.

Sipas gjetjeve të tjera studimit, burimi kryesor i financimit të ndërmarrjeve mikro janë shitjet dhe fondet e veta, ndërsa huaja ka një peshë të vogël.

Vetëm 26% e ndërmarrjeve mikro kanë një hua për të paguar, ndërsa 76% e tyre raportojnë se nuk kanë. 53% e ndërmarrjeve që kanë marrë hua, e kanë marrë nga bankat, ndërsa 34% e tyre e kanë marrë huanë nga një person fizik.

Borxhet
Huaja e marrë është përdorur më së shumti për të përballuar shpenzimet korrente të tyre (73% e ndërmarrjeve) dhe 41% janë shprehur se e kanë përdorur për të bërë një investim afatgjatë.

55% e ndërmarrjeve shprehen se përgjithësisht nuk kanë vendosur një kolateral për huanë e marrë. Ndërsa ato që kanë vendosur një pasuri të patundshme (51% e ndërmarrjeve) kanë pohuar se vlera e kolateralit është nën 100% të vlerës së huasë.

Barra e huasë (për 55% e ndërmarrjeve) është sa 20% e totalit të të ardhurave, ndërsa për 33% të ndërmarrjeve luhatet në nivelin e 20-50% e të ardhurave.

Për 12% të ndërmarrjeve barra e huasë është mbi nivelin e 50-80% të totalit të ardhurave. Përgjithësisht, barra e huasë vlerësohet relativisht e shtrenjtë.

Në lidhje me rëndësinë që kanë bankat për ndërmarrjet mikro, 60% e tyre vlerësojnë se ato (bankat) janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për ecurinë e veprimtarisë së tyre.

Ky raport paraqet një përmbledhje të rezultateve të marra nga Vrojtimi mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrëse të Ndërmarrjeve Mikro, që kanë 1 deri 4 të punësuar, në lidhje me aksesin në financim, si dhe situatën financiare të këtyre ndërmarrjeve.

Kjo anketë u realizua për herë të parë në qershor të vitit 2017, nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me INSTAT-in, dhe synon të jape një vështrim të përgjithshëm mbi situatën financiare të ndërmarrjeve mikro (1-4 të punësuar), si dhe duke plotësuar informacionin mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha që prej vitit 2010 janë pjesë e këtij vrojtimi.