MENU
klinika

"Lufta" SHBA-Iran

Irani: Nuk ka bisedime nëse nuk hiqen sanksionet

04.06.2019 - 10:31

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, të hënën i quajti sanksionet e SHBA për vendin e tij një “luftë ekonomike” dhe tha se nuk mund të ketë bisedime me Shtetet e Bashkuara derisa sanksionet të hiqen, raportoi Reuters.

“Kjo është ‘lufta ekonomike e Donald Trump. Dhe lufta dhe bisedimet, me ose pa parakushte,  nuk shkojnë së bashku,” shtoi Zarif në postimin e tij në Twitter.

Komentet vijnë në përgjigje të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve Mike Pompeo, i cili tha të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen me Iranin pa parakushte për programin e saj bërthamor, por duhet të shohin vendin duke u sjellur si një “shtet normal”.

Presidenti iranian Hassan Rouhani më vonë u përgjigj Pompeos, duke thënë se SHBA “duhet të kthehen në gjendje normale” në mënyrë që bisedimet me vendin e tij të rifillojnë.

Tensionet midis dy armiqve janë përshkallëzuar në muajin e kaluar, një vit pasi Presidenti i SHBA Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

Që atëherë, administrata e tij ka vendosur disa sanksione kundër Iranit.

Në javët e fundit, Uashingtoni dërgoi më shumë forca ushtarake në Lindjen e Mesme në një shfaqje të forcës kundër asaj që zyrtarët e SHBA thonë se janë kërcënime iraniane ndaj trupave dhe interesave të saj në rajon.

Ndërsa Trump u ka bërë thirrje liderëve të Iranit që të bisedojnë me të rreth heqjes dorë nga programi i tyre bërthamor, ai gjithashtu e bëri të qartë se ai nuk mund të përjashtonte një konfrontim ushtarak me Republikën Islamike.

Deri tani, liderët iranianë kanë kundërshtuar bisedimet me administratën Trump. Më parë këtë muaj, Rouhani tha se ai favorizon bisedimet dhe diplomacinë, por jo në kushtet aktuale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen