MENU
klinika

Ndeshja me Islandën

Reja-s ‘nuk i trembet syri’: S’dua Shqipëri frikacake!

07.06.2019 - 15:32

Trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja doli para gazetarëve për të folur në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes kualifikuese kundër Islandës.

Është debutimi zyrtar për Rejan, i cili e pranon se duhet ende kohë për të kuptuar nivelin e skuadrës kuqezi, por ndërkohë u kërkon lojtarëve organizim maksimal dhe lojë kolektive në daljet sulmuese.

Periudha e njohjes: “Filozofia është asimiluar, por nuk e di sa jemi gati për ndeshjet zyrtare, sepse vetëm kemi punuar në stërvitje dhe jam mundur t’i njoh sa më mirë lojtarët. Për sa u përket karakteristikave, kjo skuadër ka treguar se e ka filozofinë time dhe shpresoj të jenë gati për ta zbatuar në fushë”

Rezultatet negative të kohës së Panuccit, sa mund të ndikojnë: “Së pari do doja që skuadra të ishte e organizuar, pastaj dua lojë kolektive për të kaluar në sulm. Nuk mund të qëndrojmë tërë kohën në mbrojtje, dua pjesëmarrje nga e gjithë skuadra për nisjen e sulmit dhe pjesëmarrje në organizim kur dalim në fazën sulmuese, sepse duhet të godasim portën dhe të shënojmë, sepse kjo është pjesa më e rëndësishme”.

Objektivi për ndeshjen kundër Islandës: “Filozofia është gjithë të luajmë futboll, pa menduar vetëm për t’u mbrojtur e për të marrë një pikë. Duke njohur Islandën, është një rival i fortë në ajër dhe që të vë në vështirësi, ndaj nuk duhet t’i lejojmë të futen në zonë dhe duhet të dalim sa më shpejt në sulm. Do doja që skuadra ime të luante e bindur se mund të fitojë”.

Pikat e forta të Islandës: “Islanda ka një grup të fortë, është një grup që kuptohet dhe lëviz në bllok, ndërsa në sulm është Sigurdsson, lojtar i zoti teknikisht dhe shumë i fortë fizikisht. Përtej këtyre, them gjithnjë që duhet të zbresim në fushë për ta bërë ne ndeshjen, nëse do na lejojnë. Nuk duhet të qëndrojmë në pritje dhe të lejojmë që kundërshtari të na befasojë me topa ajrorë. Loja ajrore e Islandës është ajo që më tremb më shumë, por ka edhe aspekte të tjera”.

Formacioni: “Nuk e dinë as lojtarët, as formacionin dhe as skemën, dhe zakonisht ua them atyre të parëve. Nesër do ta mësoni, nuk është e thënë që të luajmë me 2 sulmues”, tha Reja ndër të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN