MENU
klinika

Fushatë për të qëndruar

Britani/ Laburistët kërkojnë referendum të ri

10.07.2019 - 11:13

Jeremy Corbyn ka sfiduar kreun e ardhshëm të Konservatorëve që të mbajë një referendum tjetër para se të nxjerrë Britaninë nga BE, duke thënë se Laburistët do të bëjnë fushatë për të qëndruar.

Corbyn thotë se partia do të marrë këtë qëndrim për të ndaluar “Brexit marrëveshje”.

Por ai nuk thotë se çfarë do të bënte nëse ai fitonte zgjedhjet e përgjithshme dhe nëse vendosej në krye të procesit Brexit.

“Në këto rrethana, dua të bëj të qartë se Partia Laburiste do të zhvillojë një fushatë për të ndaluar daljen pa një marrëveshje që nuk mbron ekonominë dhe vendet e punës”, tha Corbyn.

Kryeministrja May, muajin e kaluar njoftoi se do të jepte dorëheqjen pasi nuk arriti të fitojë mbështetjen e Parlamentit për marrëveshjen mbi Brexit. Për pasardhësin e saj si kryeministër dhe në krye të Partisë Konservatore janë duke luftuar deputetët Boris Johnson dhe Jeremy Hunt.

Ndërkohë, çështja “Brexit” dominoi debatin televiziv mes dy rivalëve që do të pasojnë kryeministren britanike, Theresa May. Konservatorët  Boris Johnson dhe Jeremy Hunt ndanë pikëpamje të ndryshme edhe për skandalin e fundit të telegrameve diplomatike kundër administratës së presidentit Donald Trump.

Dy kandidatët kryesorë për postin më të lartë ekzekutiv në Britaninë e Madhe kanë përplasur edhe një herë pikëpamjet e tyre.

Debati televiziv mes  Boris Johnson dhe rivalit Jeremy Hunt u dominua të martën në mbrëmje nga çështja “Brexit”.

Favoriti për kreun e ri të qeverisë, ish-kryebashkiaku i Londrës, Johnson, përsëriti qëndrimin për ta nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian siç u vendos me votë tri vite më parë.