Kombëtarja U-20 në basketboll për meshkuj fitoi sot pasdite 76-75 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e vlefshme për vendet 9-16 në Europianin e kësaj grupmoshe, Divizioni B. Ky turne prej disa ditësh po zhvillohet në Portugali.
Në fazën e grupeve, kombëtarja e drejtuar nga trajneri Henri Moja arriti një fitore e 3 humbje, duke zënë vendin e parafundit dhe siguroi të drejtën të luajë për vendet 9-16. Kjo “aventurë e dytë” nisi mbarë për kuqezinjtë, që sot mposhtën Bjellorusinë 76-75 me përmbysje në sekondat e fundit.
Një gjuajtje e saktë nga distanca e Eldi Hysa, 25 sekonda nga fundi i takimit, i dha fitoren Shqipërisë, që arriti një triumf të rëndësishëm ndaj një rivali shumë të fortë në Europian. Tashmë Shqipëria do të luajë ndaj Suedisë për vendet 9-12.
Rezultatet teknike (faza e grupeve)
Shqipëri – Finlandë, 48-87
Shqipëri – Bullgari, 62-82
Shqipëri – Republika Çeke, 76-111
Shqipëri – Rumani, 73-68
Vendet 9-16 (18 korrik)
Shqipëri – Bjellorusi, 76-75
Vendet 9-12
20 korrik, Shqipëri – Suedi