MENU
klinika

Detaje

Projekti për Teatrin/ PD padit arkitektin danez, 3 akuzat

04.10.2019 - 10:17

Partia Demokratike dërgon për ndjekje penale arkitektin danez, Bjarke Ingels, pasi sipas kësaj force politike, është përfshirë në mënyrë të paligjshme në projektin korruptiv të grabitjes së tokës publike te Teatri Kombëtar për ndërtimin atje të kullave private.

Lajmi për padinë është bërë nga vetë Partia Demokratike, e cila përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se akuzat kundër arkitektit danez janë 3:

“Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i plotë i PD:

Padia e Partisë Demokratike kundër arkitektit të projektit korruptiv për Teatrin sjell me detaje historikun e këtij projekti, bazuar mbi deklaratat publike të Edi Ramës, Erion Veliajt, Bjarke Ingels dhe akteve zyrtare, që çojnë në konkluzionin se Edi Rama, bashkë me Erion Veliajn kanë bashkëpunuar me Bjarke Ingels për një projekt të pabazuar në asnjë ligj.

Duke cituar Bjarke Ingels në një intervistë më 14 Mars 2018, bëhet e qartë se projekti ka patur porositës kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa kompoania “Fusha shpk” vetëm sa ka kryer pagesën për një punë të paracakuar nga dy prej njerëzve me më shumë pushtet në vend, kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës. Projekti është porositur prej tyre që në vitin 2016, shumë kohë përpara se Fusha shpk ta paraqiste si projekt të financuar prej saj.

“Ishte një ftesë e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Bashkisë për Teatrin Kombëtar. Për këtë projekt ne kemi filluar para një viti e gjysmë dhe kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme.”- citohet të ketë thënë më 14 Mars 2018 Bjarke Ingels.

“Ky fakt provon se jemi përpara marrjes së një përfitimi të parregullt dhe pranimit të një oferte që vjen nga një përfitim i parregullt.”- thuhet në padinë e Partisë Demokratike. Aty vihet në dukje se “kryerja e një projekti për zhvillimin e pronës publike dhe ndërtimin e një pasurie publike, si Teatri Kombëtar, pa asnjë marrëveshje me autoritetet publike shqiptare dhe pa u njohur me ndonjë procedurë konkrete ligjore për partneritet publik privat, nënkupton se studio arkitekturore “BIG-BJARKE INGELS GROUP” dhe arkitekti i saj z. Bjarke Ingels, kanë konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 164/b “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, vepër e cila dënohet me burgim nga 6 muaj në 5 vjet.

“Qartësisht shtetasi z. Bjarke Ingels ka qenë në dijeni të faktit se jemi përpara një oferte të parregullt, dhe me dashje ka pranuar realizimin e saj.”- shkruhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.