MENU
klinika

Vata: Te ne, strategji perverse

“Suksesi në Kosovë, më shpejt se në Shqipëri”

08.02.2020 - 20:57

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, sic dihet, ka nisur një karrierë të re prej disa muajsh si këshilltar sportiv në radhët e klubit të Muscron në Belgjikë.

Ai po angazhohet për të gjetur talente kudo në arenën ndërkombëtare, pse jo, edhe nga Shqipëria dhe Kosova për këtë klub, siç ka pranuar vetë ish-kapiteni i  përfaqësueses shqiptare në një intervistë për “Zëri”.

Vata ka folur për eksperiencën e tij të re, objektivat që ka në klub dhe atë që sheh nga e ardhmja, nuk ka munguar një koment edhe për kombëtaret e Shqipërisë e Kosovës, por edhe kampionatet në dy vendet, ku parashikon se ai kosovar do të kalojë shpejt Superioren për nga niveli që ka.

Objektivi me Muskron – “Që nga fundi i dhjetorit po punoj te Muscron dhe qëllimi i ekipit është që ta bëjmë një skuadër solide dhe të mendojmë për stinorin e ri, ku planifikojmë që të shkojmë një hap më lart.

Detyra e drejtorit sportiv është shumë e rëndësishme, që të rekrutojë lojtarë për të ardhmen. Talentet dhe lojtarët që pretendojmë t’i sjellim në skuadër, duhen të jenë lojtarë me mentalitetin e duhur. Trajneri që është te ne është gjerman (Bernd Holerbah) dhe prioritet e ka punën dhe disiplinën”.

Vlerësimi i Vojvodës – “Vojvoda ishte këtu. Ai e ka promovuar veten dhe ka ecur. Në fund të dhjetorit e kam parë në ndeshjen e Muscron me Standard Liezh dhe ishte lojtari kyç për Standard.

Muscron ka përfituar financiarisht nga Vojvoda i cili ka kaluar në një klub të madh. Gjithmonë synojmë që të bëjmë një skuadër më solide për të ardhmen dhe lojtarët e secilit nacionalitet, edhe atij shqiptar janë të mirëpritur. Duan kualitet dhe mentalitet të mirë”.

Kosova dhe kualifikimi në Europian – “Kosova e ka potencialin e mjaftueshëm me një staf të mirë dhe mentalitet pozitiv. Kosova e ka një grup të mirë dhe harmoni dhe e japin më të mirën e tyre. Jam i sigurt që Kosova do ta kalojë këtë ndeshje.

Edhe në letër Kosova është më mirë se maqedonasit. Edhe uria për fitore është më e madhe te Kosova pasi që janë përfaqësuese e re dhe tashmë e kanë bërë një emër të mirë në arenën ndërkombëtare”.

Kampionati kosovar – “Më ka pëlqyer te Kosova mentaliteti profesional që është shumë më mirë se në Shqipëri. Jam i sigurt se kjo vjen nga ish-shkolla jugosllave që ka qenë ndër më të fortat në Evropë. Ka edhe atje probleme sepse ndikon tranzicioni.

Suksesi në Kosovë do të vijë më shpejt se në Shqipëri. Klubi Prishtina ka filluar një proces të fushave stërvitore dhe ka projekte konkrete dhe besoj se ka të ardhme. Kjo vjen falë mentalitet të tyre. Kosova ka të ardhme të mirë”.

Kombëtarja shqiptare – “Dy ndeshjet e fundit me Francën dhe Andorrën nuk më lanë shije të mirë. Shqipëria është kombëtare ne tranzicion. Me Islandën nën drejtimin e Rejas kanë luajtur mirë në Elbasan.

Kombëtarja është akoma e pastabilizuar. Reja ka punë për të bërë dhe lojtarët kanë probleme me ekipet e tyre. Nëse matet me epokën De Biazi, shkalla e vështirësisë është më e madhe. Shpresoj që Reja të rregullojë bilancet”.

E ardhmja e të birit, Rocco – “Djali bën 15 vjeç në prill dhe ai e ka zgjedhur Irlandën. Është një arsye e vetme: Irlanda ka qenë më këmbëngulëse dhe e kanë parë që ka të drejtë të luajë më Irlandën.

Unë i kam sugjeruar djalit që ta provojë këtë eksperiencë që mund t’i shërbejë pasi që lojtarët kanë nevojë të mësohen me kultura dhe eksperienca të ndryshme. Askush nga Shqipëria nuk më ka kontaktuar për djalin.

As unë nuk ia ofroj djalin tim dikujt që nuk ka nevojë për të. Rudi ka qenë kapiten në të gjitha moshat me Kombëtaren dhe në shumë vende të Evropës. Problemi im është që nëse dikush e ka problem ekzistencën time, e ka problem edhe ekzistencën e djalit tim.

Unë i ruaj interesat e fëmijës. Derisa futbolli shqiptar të ndërtojë një strategji dhe vizion konkret, nuk besoj që djali im i mbetet dikujt merak. Është ndërtuar strategji perverse dhe nepotizmi në Shqipëri”. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Legjenda kundër sindikatës së futbollistëve

“Shpërthen” Sokol Kushta: Meritojmë respekt!

“Kisha vetëm 50 dollarë në xhep”

Rrëfehet Vata: Nga arratisja në Paris, te Celtic