MENU
klinika

Basketboll, Liga Ballkanike

Vllaznia mposht Pejën, rriten shanset për play-off

26.02.2020 - 11:43

Vllaznia në basketboll për meshkuj ka fituar ndeshjen e radhës të Ligës Ballkanike dhe rihap shanset e saj për në play-off. Mbrëmjen e së martës, basketbollistët kuqeblu kanë fituar me rezultatin 78-62 ndaj Pejës, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Ndeshja ka nisur mirë për Vllazninë që arrin jo vetëm të shënojë pikët e para, por të udhëheq deri në shtatë pikë ndaj ekipit kosovar. Por nga ana tjetër, Peja mundohet të rihyjë në lojë dhe ngushton rezultatin, madje duke kaluar edhe në avantazh dhe perioda e parë do të mbyllej me shifrat 19-17 në favor të miqve.

Në të dytën gjërat ndryshojnë dhe është Vllaznia që tregohet më e saktë, falë edhe pikëve të shënuar nga Shestani apo dhe lojtarët e tjerë dhe në këtë mënyrë ekipet shkojnë në pushimin e ndeshjes me rezultatin 41-40 në favor të vendasve.

Në periodën e tretë sakaq epërsia e shkodranëve rritet dhe ata do ta mbyllin atë me rezultatin 62-51, çka jepte shpresat për një fitore të mundshme të tyre të këtij takimi.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Vllaznia e ka ruajtur këtë avantazh deri në fund, teksa vuloset rezultati përfundimtar 78-62 në favor të saj. Me këtë fitore, ekipi i Vllaznisë rrit shanset për të qenë në mes katër ekipeve më të mira të cilat do të sigurojnë të drejtën për në play-off në Ligën Ballkanike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN