MENU
klinika

Ku do të luajë?

Elseid Hysaj nuk rinovon, e ardhmja në pikëpyetje

02.04.2020 - 15:55

Elseid Hysaj nuk dëshiron të rinovojë me Napolin. Fakti se mbrojtësi shqiptar dhe menaxheri i tij Guifredi duan të largohen nga napolinanët, tashmë nuk është më një sekret. Por, dukej se mbrojtësi i kombëtares së bashku me klubin kishin rënë dakord për rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2021 dhe më pas në verë të kishte mundësinë të largohej në mënyrë që edhe të kaltrit të përfitonin financiarisht.

Mirëpo, në orët e fundit ka pasur një ndryshim planesh, e ashtu siç raportojnë mediat italiane, shkodrani ka refuzuar rinovimin e kontratës. Ndarja me Napolin në fund të këtij sezoni do të jetë e pashmangshme, ndërsa ofertat për shqiptarin nuk mungojnë, si nga Serie A, ku ai tashmë ka një eksperiencë të madhe, por edhe nga klubet jashtë Italisë.

Hysaj mbërriti te Napoli në vitin 2014 kur trajneri Mauricio Sarri e mori nga Empoli dhe klubi pagoi 4.5 milionë euro për kartonin. Tashmë vlera e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare ka shkuar në 16 milionë euro, por Napoli pretendon që të përfitojë rreth 20 milionë euro nga shitja e tij.

Në merkaton e radhës me siguri do të pranojë ofertat, pasi vitin e ardhshëm 26-vjeçari del futbollist i lirë dhe me siguri nuk është në interesin e klubit. Tashmë mbetet për t’u parë se në cilin kampionat do të luajë Hysaj, do të qëndrojë në Serinë A, apo do ta shohim në një ligë tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


De Biasi për kapitenin e Kombëtares

“Sikur të kisha pasur 10 lojtarë si Hysaj”