MENU
klinika

Rrëfimi i Rio Ferdinand

Nga depresioni dhe alkooli, te flirti me Barcelonën…

07.05.2020 - 16:57

Një nga mbrojtësit më të spikatur të Manchester United dhe Anglisë, Rio Ferdinand është një nga fytyrat më të njohura britanik. Puna e tij si komentator sportiv, pasi i “vari këpucët në gozhdë”, e mban në vijën e parë të mediave, megjithëse ka pasur edhe shumë herë, kur është vendosur në anën tjetër të mikrofonave për të rrëfyer problemet personale me alkoolin dhe depresionin, pas ndarjes nga jeta të gruas së tij, për shkak të kancerit.

Marrëdhënia e tij me alkoolin – Rio Ferdinand ka rrëfyer në më shumë se një rast afeksionin me alkoolin, veçanërisht në rininë e tij. Ish-mbrojtësi qendror ka pranuar se gjatë kohës së tij si futbollist, veçanërisht në vitet e West Ham, pinte rregullisht dhe jashtë zakonit.

“I ri isha paksa i çmendur, mund ta kaloja gjithë ditën duke pirë. Mund të pija dhjetë gota birrë e më pas të shkoja te vodka. Te West Ham kishte një kulturë të pijes, gjithmonë pinim pas ndeshjeve. Që nga ajo kohë kam probleme me kujtesën, njerëzit më pyesin për rezultatet me ekipin dhe nuk i mbaj mend.

E kaloja tërë ditën duke pirë, ngrihesha dhe vazhdoja po kështu ditën tjetër. Ishte një kulturë tjetër, e çmendur. Futboll, alkool dhe disko. Kështu jetuam te Ëest Ham” – kujton Ferdinand

Vdekja e gruas së tij dhe depresioni – Jeta e Rio Ferdinand u kthye “kokëposhtë” pas vdekjes së gruas së tij, Rebecca Ellison, më 2015, për shkak të kancerit të gjirit. Ish-mbrojtësi i Manchester United ngeli i ve në moshën 36 vjeç, me tre fëmijë të vegjël në kujdesin e tij. Ai e la futbollin vetëm një muaj pasi humbi gruan.

“Askush nuk është i gatshëm ta vuajë një humbje të tillë. Para se të largohej nga kjo jetë, ajo më tha se do të bëhesha baba i shkëlqyer për fëmijët. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të ndodhte, por ajo u nda nga jeta dhjetë javë pasi u diagnostikua me kancer.

Në fillim pija shumë natën, pasi i vija fëmijët në shtrat për të fjetur, derisa një ditë u zgjova dhe nuk munda t’i çoja në shkollë. Madje, bëra një aksident me makinë. Aty kuptova se nuk mund të vazhdoja kështu. Kam pësuar pa fund sulme paniku.

Kur shkonim me pushime, gjithçka që duhej të bëja ishte të merresha me valixhen time, sepse Rebeka kishte bërë gati gjithçka tjetër. Kur kalova në depresion, pyesja veten: Si të shkoj kështu te mjeku? Unë kisha parë vetëm mjekun e klubit, nuk kisha asnjë ide për sëmundjen.

Rebeka i plotësonte të gjitha ato gjëra me fëmijët, që unë nuk i bëja, por tani po përballesha me një situatë krejt tjetër. Unë i bëja vetes pyetje si: Ku janë këpucët, ku janë rrobat e fëmijëve?” – rrëfen momentin më të vështirë të jetës Ferdinand.

Partner i Cristiano Ronaldos – Ferdinand ndau dhomën e zhveshjes me Cristiano Ronaldo te Manchester United. Ai ka pranuar sa i impresionuar ishte me kujdesin e portugezit dhe përkushtimin e tij ndaj futbollit:

“Ronaldo ishte personi i parë që kam parë të investojë personalisht për veten në një ekip. Unë ecja rreth shtëpisë së tij dhe shihja rreth dhjetë njerëz aty brenda. Dhe e pyeta një ditë: cilët janë këto njerëz? Çfarë po ndodh? Ronaldo m’i zbuloi: Ky është kuzhinieri im, ky është fizioterapisti im, ky është mjeku im, ky është trajneri im personal.

Ai e la Manchester United kur ishte bërë më i miri në botë. Nëse do të më duhej t’u jepja këshilla të rinjve, do t’u thoja të investojnë për veten në atë mënyrë. Cristiano është ende në krye, përveçse ka qenë në mesin e dy lojtarëve më të mirë në botë për një dekadë”.

Flirti me Barcelonën – Rio Ferdinand mund të kishte qenë nën urdhërat e Pep Guardiolës te Barcelona, në atë sezon 2008-2009, në të cilën skuadra katalanase dominoi Spanjën dhe Europën, duke fituar tripletën: La Liga, Kupën e Mbretit dhe Champions. Por, ai nuk pranoi të shkonte te Barça, sepse e konsideronte “një ekip në tranzicion”:

“Unë kam qenë afër kalimit atje, ka pasur disa biseda me agjentin tim, Barça vendosi kontakte me mua…Unë fola me Rijkaard, jo për këtë çështje, por ai më njohu me qëllimet e tij. Ne e mundëm Barcelonën atë vit dhe u shpallëm kampionë europianë.

Atëherë mendova, pse ta lija ekipin kampion europian për Barçën, e cila ishte në tranzicion. Në atë kohë, Xavi, Iniesta apo Messi nuk ishin lojtarët e mëvonshëm, yje të mëdhenj. Ishte një skenar shumë i ndryshëm në atë kohë te Barcelona, që një vit më vonë fitoi Champions League.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrëfimi i ish-gruas së portierit të Napolit

“Mori SIDA-n në dasmën e Maradonës, vdiq i harruar”