MENU
klinika

Luhet java 28

Superliga në një orë sot, spikat Partizani-Kukësi

07.06.2020 - 11:27

Ende pa u mbyllur jehona e javës së parë të rifillimit të futbollit shqiptar, Superliga do të luhet sërish sot me ndeshjet e javës së 28-të, ose e para e fazës së katërt dhe të fundit. Dje është bërë një testim i të gjithë ekipit të Tiranës dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

Janë ndeshje interesante, por kryesfida është Partizani-Kukësi, skuadra që kanë luftuar vitet e fundit për titullin kampion. Kjo ndeshje ishte fiksuar për në orën 20:00, por nuk ka garanci nga dritat në “Selman Stërmasi” dhe do të luhet ashtu si 4 të tjerat, në orën 17:00.

Partizani vjen i plagosur pas humbjes në shtëpi me Skënderbeun. Një tjetër dështim do të komprometonte jo vetëm synimin për në Europë, por kampionët do të rrezikonin rënien nga kategoria. E kundërta me Kukësin, që ndonëse fitoi në limite ndaj Luftëtarit në mesjavë, është gati të tentojë për titullin deri sa matematika ta lejojë. Në këtë mënyrë do të mbrohej vendi i dytë.

Tirana do të luajë sërish në transfertë dhe përsëri në Jug të vendit, përballë Luftëtarit në Gjirokastër. Një sfidë disi më e lehtë në letër për bardheblutë në krahasim me atë të së mërkurës, por drejtuesit po mbajnë në tonus futbollistët për të mos nënvlerësuar asnjë skuadër.

Bylis-Teuta dhe Laçi-Vllaznia janë përballje me kahe të kundërta. Bylis dhe Vllaznia kërkojnë të shmangin pozicionin e play-out, ndërsa Laçi dhe Teuta kërkojnë një vend në Europa League në sezonin e ardhshëm.

Flamurtari do të luajë përsëri në shtëpi, kësaj here ndaj Skënderbeut. Dy skuadra që në dekadën e fundit kanë qenë rivale, por së fundmi kanë humbur shkëlqimin. Gjithsesi, korçarët shkojnë në Vlorë për të marrë fitoren e gjashtë radhazi dhe për të mbajtur vendin e tretë. Më shumë për prestigj, pasi Skënderbeu nuk mund të marrë pjesë në Kupat e Europës, sepse është i dënuar dhe vështirë të ketë tjetër vendim këtë verë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN