MENU
klinika

"Çdo marrëveshje duhet të kalojë përmes Brukselit"

Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, BE “kërkon pjesën e saj”

16.06.2020 - 17:53

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Ballkanin, Peter Stano, duke iu referuar takimit të 27 qershorit, tha se çdo marrëveshje në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të kalojë përmes një procesi negociues të udhëhequr nga BE-ja.

“Bashkimi Evropian ishte duke ndihmuar në dialog që nga fillimi. E ardhmja evropiane e vendeve është e mundur vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Për të gjitha gjërat që merren vesh, duhet të jetë pjesë edhe Bashkimi Evropian, pra të jetë pjesë e dialogut”, deklaroi Stano.

Sa i takon vizitës së Mirosllav Lajçak në Kosovë, Stano tha se ai do të propozojë data për rifillim të dialogut. Analisti politik, Naim Rashiti, thotë se Kosova nuk duhet injoruar iniciativën e BE-së për rifillim të dialogut. Sipas Rashtit, Lajçak është duke punuar në përcaktimin e dinamikës së re të bisedimeve.

“Me këto vizita ai vetëm po bënë përpjekje për ta përcaktuar dinamikën e re ose të marrë pajtimin e palëve për vendosjen e një dinamike të re të dialogut, e cila do të fillojë vetëm kur të hiqen kufizimet për shkak të pandemisë. Lajçak është në fillim të punës së tij, në përgatitje të procesit, dhe Kosova duhet ta mbështesë edhe këtë proces sepse nuk bie ndesh me qëllimet e SHBA-së”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

I dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka nisur vizitën e tij në Kosovë ku do të takohet me presidentin, Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këto takime, Lajçak do të shpalosë planin për rifillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, proces ky që u ndërpre në fund të vitit 2018 pasi Qeveria e Kosovës, vendosi tarifë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se takimi do të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog. Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe se Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.

Në Kosovë, spektri politik mbetet i ndarë sa i takon procesit të dialogut me Serbinë. Që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, i është bërë thirrje partive politike që të bëhen pjesë e procesit të bisedimeve.