MENU
klinika

Nga Cavani, te Gotze

10 lojtarët yje me parametra zero në merkato

05.08.2020 - 15:07

Nga Edinson Cavani te Mario Mandzukic, deri te David Silva dhe Jose Callejon: këto janë emrat që intrigojnë më tepër merkaton e këtij sezoni, por jashtë kësaj liste nuk mbetet as një kampion bote si Mario Gotze.

Cavani është padyshim emri më prestigjioz në këtë listë. Sulmuesit uruguaian i përfundoi kontrata me PSG dhe në të tilla kushte është i lirë të firmos me një skuadër të re. Benfica gjendet në pole-position, por për 33-vjeçarin ka interes edhe nga Inter.

Italia shihet si destinacion i mundshëm për David Silvën. Spanjolli u largua nga Manchester City pas 11 vitesh dhe në pritje të tij gjendet Lazio. Igli Tare di si t’i bindë lojtarët dhe Silva mund të jetë ai i radhës.

Jose Callejon është zyrtarisht një “ish” te Napoli dhe tashmë në adresë të 33-vjeçarit kanë nisur ofertat e para. Benevento e kërkon si “dhuratë” për promovimin në Serie A, megjithatë firma me ta nuk e intrigon aspak spanjollin që kërkon të mbetet ende në nivele të larta.

Teorikisht është ylli i listës, por dëmtimet e kanë penalizuar shumë në karrierë. Mario Gotze është i vetmi kampion bote me parametra zero. Shumë besojnë ende tek aftësitë e 28-vjeçarit dhe Lazio po bën çmos ta marrë në kryeqytetin italian.

Willian e ka kaluar tërë karrierën e tij evropiane te Chelsea, por tani është në kërkim të një skuadre të re. Muaj më parë Juventus ka shfaqur interes për të, por në orët e fundit kalimi tek Arsenal shihet si një opsion më shumë se i mundshëm.

Përvojë dhe siguri të ofron edhe Jan Vertonghen që tashmë ka mbyllur marrëveshjen me Tottenham për ta nisur diku tjetër, mbase te Roma. Everton është hedhur në merkato për një futbollist të kësaj liste dhe ai që pëlqehet shumë nga stafi i Carlo Ancelottit është Thiago Silva.

35-vjeçari mbyll gjithçka me PSG pas Ligës së Kampionëve dhe gjasat janë të mbetet në Europë. Pas eksperiencës të shkurtër në Katar, Mario Mandzukic kthehet në modë te Fiorentina.

Një tjetër emër që bën lëmsh merkaton është ai i Daniel Sturridge. Anglezi ka mbyllur gjithçka me Trabzonspor dhe do të ishte një vlerë e shtuar për çdo skuadër evropiane.

Emri më pak i bujshëm është ai i Giacomo Bonaventura. Italiani nuk ka shkëlqyer te Milani, edhe pse shpesh zgjidhi shumë ndeshje me fanellën e kuqezinjve. E ardhmja në Itali, gjithsesi shumë larg niveleve të një klubi si Milan.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN