MENU
klinika

Renditja në tenis

Nadal përfitoi më pak dhe nuk kapi vendin e parë

13.10.2020 - 16:41

Përpos titullit Grand Slam numër 20 në karrierë, Rafael Nadal shtoi edhe të ardhurat në llogarinë e tij pas triumfit përballë Novak Djokovic në turneun francez të Roland Garro. Spanjolli fitoi rreth 1.6 milionë euro pas marrjes së trofeut, shifra më e ulët e dhënë për një fitues që nga viti 2013 dhe rreth 1 milionë më pak se një vit më parë.

Gjithçka vjen në kuadër të masave që organizatorët morën për të zbutur humbjet financiare në kohën e pandemisë, por ai që penalizohet në këtë mes është Nadal. Gjithashtu, 34-vjeçari nuk ka arritur të fitojë pozicione në renditjen e ATP.

Nadal ngushton distancat me liderin, Djokovic, por vetëm kaq, pasi gjendet në vendin e dytë me 9.850 pikë në total, rreth 2 mijë më pak se tenisti serb. Vendi i tretë mbahet nga austriaku Dominic Thiem.

Me 37 pozicione në renditjen e WTA është ngjitur fituesja e kategorisë femra, Iga Swiatek. Polakja gjendet në vendin e 17-të me 2960 pikë. Kreu mbahet nga australiania, Ashleigh Barty, e ndjekur nga Simona Halep dhe Naomi Osaka.