MENU
klinika

Si të qetësohesh në zyrë?

Tetë pozicione të thjeshta joge që mund të bëni ulur

06.01.2021 - 08:34

Një nga problemet më të mëdha të kohëve moderne janë orët e zgjatura ulur në karrige, para kompjuterit. Me këto ritme marramendëse dhe orët e zgjatura në punë, më së shumti paguan trupi ynë. Përveç lodhjes fizike për shkak të qëndrimit të gabuar e të tejzgjatur në të njëjtin pozicion, problem mbetet edhe stresi i punës. E çfarë bëjmë për t’u qetësuar? “Dendemi” në kafe, me shpresën se kështu do të shtojmë dozat e energjisë, kur në fakt jemi duke bërë të kundërtën, sepse dihet që kafeja e marrë me tepri përkeqëson shenjat e stresit dhe ankthit.
Chair Yoga, apo “joga në karrige”, është një kombinim perfekt ushtrimesh, të cilat bëjnë mirë për muskujt dhe çlirojnë energjitë negative. Ushtrime të thjeshta, që mund të realizohen pa pasur nevojë për asgjë tjetër, përveç karriges dhe tavolinës në zyrën tuaj…

1.Pozicioni i Malit
Uluni drejt në karrige dhe shtrini krahët përpara. Largoni pëllëmbët e duarve dhe ngrijini krahët deri sa pëllëmbët tuaja të jenë përkundër tavanit. Zgjatini duart dhe ndiejeni atë zgjatje, teksa reduktoni stresin në kokë, qafë e shpatulla. Ky pozicion zgjat gjymtyrët, por nëse dëshironi, mund t’i shtoni atij edhe përkuljen e krahëve nga secila anë.

2.Krahët dhe Këmbët si Shqiponjë
Uluni drejt në një karrige dhe vendosini krahët para jush, në një kënd 90 gradë. Pastaj, kryqëzojini në mënyrë të tillë që krahu i djathtë të qëndrojë sipër të majtit. Më pas, puthitini krahët në mënyrë që gishtat të jenë me drejtimin lart. Do të ndiheni të kontraktuar. Ky pozicion forcon tricepsët, shpatullat dhe muskujt e pasmë. Këmbët mjafton t’i kryqëzoni dhe më pas t’i puthitni në pozicionin “njëra këmbë pas tjetrës”.

3.Përdredhja
Vendosini pëllëmbët e duarve në krahët e karriges dhe kthejini kraharorin e barkun në të djathtë, duke e lëvizur shpatullën e majtë para dhe të djathtën mbrapa. Zgjerojeni kraharorin plotësisht e do ta ndjeni veten të çliruar. Këto kthime të trupit bëjnë mirë për shpinën dhe pjesën abdominale. Përsëriteni ushtrimin nga të dy anët.

4.Peri dhe Gjilpëra
Uluni në karrige dhe hidhni këmbën e djathtë sipër gjurit të majtë. Përkulini të dy këmbët dhe ngrijini nga dyshemeja. “Fusni perin në gjilpërë” duke bashkuar duart rreth këmbës së majtë, poshtë gjurit. Ky pozicion tërheq rotatorët e kofshëve dhe çliron tensionin në pjesën fundore të shpinës. Praktikojeni këtë pozicion në të dyja anët.

5.Pozicioni “Zambaku i Ujit”
Zambaku i ujit është pozicioni tradicional për meditimin. Mund të uleni rehat në karrigen tuaj të punës, duke i mbajtur qafën dhe shpinën drejt në mënyrë që truri juaj të nisë të qetësohet. Ngrini lart pëllëmbët e duarve, duke bashkuar gishtat e mëdhenj dhe të parë të duarve. Nëse keni hapësirën e mjaftueshme në zyrën tuaj, praktikoni dhe kryqëzimin e këmbëve për të krijuar pozicionin e plotë të zambakut të ujit. Kjo do t’ju ndihmojë në qetësimin e shpinës nga stresi i të ndenjurit ulur gjatë gjithë ditës. Ky është një pozicion që praktikohet në të dyja anët, kështu që sigurohuni ta praktikoni duke i kryqëzuar këmbët dy herë, si në të majtën, ashtu dhe në të djathtën.

6.Zgjatja e Trupit
Vendosni duart në karrige, prapësoni këmbën e majtë dhe përkuluni lehtas duke e zgjatuar trupin. Kjo është një tërheqje që ju bën mirë për qetësimin e gjunjëve dhe gjithashtu forcon muskujt fleksorë të kofshës dhe ata glutealë. Përsëriteni ushtrimin me të dyja këmbët.

7.Pozicioni i Shkallës
Vendosini pëllëmbët e duarve në krahët e karriges dhe kryqëzoni këmbët te pjesa e kyçeve. Nxirrni frymën, kontraktoni muskujt e barkut dhe ngrini ijët dhe këmbët nga dyshemeja. Qëndroni pezull në atë pozicion për pesë deri në tetë frymëmarrje të plota. Pastaj, uluni, ndryshoni mënyrën e të kryqëzuarit të këmbëve dhe përsëriteni edhe një here ushtrimin. Nëse nuk mund të ngriheni, filloni duke ngritur ijët e më pas edhe këmbët, kur të merrni fuqi. Ky pozicion forcon krahët dhe muskujt e barkut.

8.Pozicioni i Qetësimit
Përpara se t’i riktheheni punës, merrni disa minuta kohë për t’u qetësuar. Në fund të fundit, në joga ka një reagim për çdo veprim. Ky pozicion qetësues është i thjeshtë por shumë i efektshëm për reduktimin e stresit në muskujt e fytyrës dhe ndihmon në parandalimin e lodhjes. Thjesht kryqëzoni krahët, vendosini mbi tavolinë dhe pastaj mbështesni kokën në krahët e kryqëzuar

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qëllimet shëndetësore dhe palestra

5 arsyet pse femrat duhet të heqin peshë!