MENU
klinika

Champions League

Real dhe City, një hap larg fazës së 1/8 finale

24.02.2021 - 22:57

Real Madrid dhe Manchester City kanë hedhur një këmbë larg fazës së 1/8 finale të Champions League. Spanjollët fituan 1-0 në Bergamo ndaj Atalantës, ndërsa anglezët 2-0 ndaj Monchegladbach.

Një karton i kuq është dhënë për Atalanta pas vetëm 17 minutash lojë. Real Madrid po dilte në sulm dhe pas një aksioni të bukur, Mendy po nisej diagonalisht drejt portës së italianëve, kur Remo Freuler ndërhyri ndaj francezit. Faull dhe karton i kuq. Por Real nuk bëri ndonjë diferencë.

Gasperini tërbohet, ashtu si edhe stoli i Atalanta-s, por edhe lojtarët në fushë protestojnë, por arbitri nuk denjon as të shkojë ta shohë në VAR.  Vendasit u mbrojtën mirë deri në minutën e 86-të. Pikërisht kur Atalanta mendoi se ia doli të merrte një barazim, Mendy shënoi një supergol.

Në ndeshjen tjetër, Manchester City ka shënuar ndaj Gladbach në minutën e 29-të pas një aksioni mjaft të bukur. Bernardo Silva ishte autori i golit. Portugezi shënoi me një goditje perfekte me kokë, pas një krosimi mjaft të bukur të Joao Cancelos nga e majta.

Sfida mes Gladbach dhe Manchester Cityt u luajt në “Puskas Arena” të Hungarisë për shkak të Covid-19. Golin e 0-2 për të besuarit e Guardiolës e ka shënuar Gabriel Jesus në minutën e 65-të. Braziliani ka finalizuar një aksion perfekt të nisur nga Cancelo. Pjesa tjetër është pa histori.