MENU
klinika

Van Gogh në Paris

Shfaqet rishtas: 8 milionë euro, për tablonë e gjeniut

26.02.2021 - 15:37

       Sipas shtëpisë së famshme të ankandit  “Sotheby’s”, pritet shuma deri në tetë milionë euro, kur të dalë në ankand muajin e ardhshëm. Ekspert për veprën e Van Gogh-ut, Martin Bailey ka thënë se, “kjo është hera e parë, që jemi në gjendje ta shohim siç duhet pikturën”.

Një pikturë nga Vincent Van Gogh, me subjekt nga një rrugë në Paris, është shfaqur për herë të parë, pas më shumë se 100 vjetësh e fshehur. Sipas BBC-së, piktura ka qenë në pronësinë e një familjeje franceze për një kohë të gjatë, që kur u realizua më 1887.

“Riprodhime të vogla janë bërë në të kaluarën, shpesh bardhezi. Është emocionues fakti se ajo është vepër e Van Gogh-ut, që është mbajtur e fshehur qyshese artisti e përfundoi. Ka qenë gjithmonë në koleksione private, ndaj për të ishin në diejni vetëm pronarët dhe miqtë e tyre. Ishte një pamje interesante, sepse është një vepër kalimtare midis viteve artistit në Hollandë, kur ai pikturoi me tone të errëta dhe ngjyrat e tokës dhe veprat që punoi në Provence. Në Paris, ai zbuloi impresionistët, duke marrë shkas për të eksploruar ngjyrat,”- ka thënë, Bailey.

Ishte një nga një seri punimesh që Van Gogh krijoi ndërsa qëndronte me të vëllain Theo, në vitet 1886-1887. Piktura do të shfaqet në shtëpinë “Sotheby” në Paris, Amsterdam dhe Hong-Kong, përpara shitjes më 25 mars.