MENU
klinika

Llogaritë në Serie A

Inter kampion me 1 fitore, 5 ekipe në garë për Champions

27.04.2021 - 12:20

Inter është vetëm një fitore larg titullit kampion në Seria A italiane. Humbja e Milanit përballë Lazios ka favorizuar tashmë zikaltrit, të cilët në 5 sfidat e mbetura deri në fund të garës duhet të marrin të paktën 3 pikë për t’u kurorëzuar me Skudeton e famshme.

Edhe kalendari është në favor të tyre, pasi do masin forcat me skuadra të kalueshme, si Crotone, Sampdoria dhe Udinese, por edhe ekipe si Roma e Juventus.

Garë e fortë duket të jetë për 3 pozicionet e tjera që të sigurojnë biletën për në Ligën e Kampionëve. Nga vendi i dytë që mbahet nga Atalanta, deri te vendi i 5-të ku ndodhet Milan, i ndajnë vetëm 2 pikë, pa harruar Lazion, që ka edhe një takim për të zhvilluar, që në rast fitoreje, do e dërgonte në 5 numrin e skuadrave për 3 bileta.

Interesante është fakti se 3 skuadra, Napoli, Juventus dhe Milan kanë kuotë të njëjtë pikësh, 66, çka e bën më atraktive garën në elitën e futbollit italian. Edhe kalendari është i tillë që ka përplasje direkte.

Kuadri i përballjeve direkte mes Napolit, Juventusit dhe Milanit nuk është i kompletuar, në pritje të Juve-Milan, të fiksuar për të dielën e 9 majit. Deri tani, ajo që do të vendoste renditjen finale do të ishte golavarazhi i përgjithshëm.

Në pozitat më të këqija ndodhen pikërisht kuqezinjtë: 60 gola të shënuar dhe 41 të pësuar (+19, duke llogaritur edhe humbjen 3-0 me Lazion). I freskët nga një katapultim në ndeshjen e luajtur dje qëndron Napoli, i cili me tri pikë ndaj Torinos parakaloi jo vetëm Juventusin, por edhe Milanin.

Por, nëse me bardhezinjtë deri tani Napoli qëndron një pozicion më lart vetëm prej pikës tre të rregullores (golavarazhi i përgjithshëm, +36 kundrejt +35), kjo është sepse në pikët dhe në golavarazhin në ndeshje direkte barazpesha është totale.