MENU
klinika

Serie A, Java 34

Ndalet Atalanta dhe Napoli, Inter zyrtarisht kampion

02.05.2021 - 16:00

Atalanta është ndalur në transfertë 1-1 ndaj Sassuolos dhe tashmë Inter është zyrtarisht kampion i Serie A. Është surprizuar në limite edhe Napoli në shtëpi, që nuk shkon më shumë se 1-1 ndaj Cagliarit.

Atalanta ka kaluar në avantazh në 32’. Bergamaskët kishin mbetur me 10 lojtarë në minutën e 22-të pas kartonit të kuq direkt të marrë nga portieri Gollini. Pavarësisht inferioritetit numerik, Gjimshiti me shokë kanë arritur të shënojnë 10 minuta më vonë me një super gol të Gonses.

Megjithatë, në pjesën e dytë, vendasit kanë barazuar në 52’ me anë të Berardit, që nuk gabon nga pika e bardhë e penalltisë. Locatelli shënon në 64’, por anulohet për jashtë loje. Në 75’ vendasit mbeten me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Marlon.

Vetëm një minutë më pas Murriel humbet penallti, duke vështirësuar gjërat për miqtë. Atalanta nuk arrin të shënojë golin e fitores, një rezultat që shpall kampion skuadrën e Interit.

Në ndeshjen tjetër, Napoli ka gjetur menjëherë avantazhin ndaj Cagliari-t. Autori i golit ka qenë Victor Osimhen, i cili ka marrë një asist magjik nga Insigne dhe ka shënuar me forcë. Tre gola në tri ndeshjet e fundit për sulmuesin nigerian.

Por kur u mendua se Napoli mori fitoren, janë miqtë nga Sardegna që realizojnë me Nandez në 94’. Dy pikë me shumë vlerë të lëna në limite. Elseid Hysaj luajti titullar për 90 minuta.