MENU
klinika

Euro 2020

Itali e bukur dhe fituese, tani kërkon triumfin

03.07.2021 - 13:48

Tashmë asnjë nuk ka dyshime për Italinë, e bukur, konkrete dhe kompakte. Fitorja kundër Belgjikës ishte prova më e madhe dhe me bindje të plotë të gjithë e shohin tashmë këtë skuadër si favorite për të triumfuar në këtë “Euro2020”.

Ta shndërrosh Belgjikën në një skuadër normale, bëhet fjalë për ekipin e parë në rendjen e FIFA-s, një skuadër e mbipopulluar me yje, nuk është kurrë e lehtë, por Italia e bëri diçka të tillë dhe e bëri me një lojë të bukur, fluide, fantastike kur duhej dhe konkrete.

Rruga drejt finales është ende e gjatë, më parë duhet të kalojnë Spanjën për të mësuar më pas kë do të kenë përballë në finalen e Wembley.

Rrugëtimi i këtij grupi është po aq fantastik, 34 ndeshje pa pësuar humbje, 14 fitore radhazi, të gjitha këto janë fakte për të vërtetuar se ky ekip është pjekur në momentin e duhur, Mancini ka në dispozicion një miks lojtarësh të jashtëzakonshëm, në nivel thuajse të njëjtë, por me një shpirt grupi shumë të madh, pikërisht atë që nuk e patën kurrë përfaqësuese si Franca.

Përballë Belgjikës, Italia na shfaqi pjesën e sajë më të bukur, dolën në pah edhe individë si Barrela dhe Insigne, me dy gola fantastik, ndërsa Bonucci dhe Chiellini i dhanë qetësinë e duhur një ekipi të ri që vrapon pafund drejt një ëndrre shumë të madhe, të triumfojnë në “Euro2020”.