MENU
klinika

Serie A, Java 31

Milan ngec atëherë kur nuk pritej

04.04.2022 - 22:47

Pikërisht kur mendohej se Milan ishte në rrugën e duhur, është ndalur papritur në shtëpi. Kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola ndaj Bologna-s, duke lënë dy pikë me shumë vlerë në luftën për titullin kampion.

Skuadra e Stefano Piolit duhej t’u përgjigjej triumfeve të Napolit dhe Interit ndjekës, por ka zhgënjyer më shumë se 68 mijë të pranishëm në “San Siro”, të cilët kanë parë kuqezinjtë në një ditë jo të mirë.

Bologna nuk drejtohej nga Sinisa Mihajlovic i sëmurë, por nga ndihmësi i tij. Megjithatë, skuadra mike bëri gjithçka që të mos ndjehej mungesa e teknikut, me një lojë të vëmendshme mbrojtëse sidomos në pjesën e parë.

Pjesa e dytë foli më shumë për kuqezinjtë, të cilët tentuan me radhë të shënonin, por Skorupski ishte i pakalueshëm deri në sekondat e fundit, duke siguruar portën e paprekur deri në fund dhe duke marrë një barazim që duket si fitore për Bologna-n dhe një disfatë për Milanin që humbi pikë të rëndësishme.