MENU
klinika

Europa League

Ronaldo i kthehet golit, Roma ia del në transfertë

27.10.2022 - 23:08

Europa League zhvilloi sonte ndeshjet e xhiros së pestë të grupeve. Manchester United ka bërë detyrën ndaj Sheriff Tiraspool në shtëpi, duke e mundur 3-0.

“Djajtë e kuq” do vuanin shumë për të zhbllokuar takimin dhe do ia dilnin të bënin diçka të tillë vetëm në minutën e 44-t, me Dalot. Rashford tregoi klasin e tij me një gol me kokë në të 65-tën, pas një krosimi të Luke Shaw.

Ronaldo la pas problemet me klubin dhe mposhti portierin kundërshtar, kurorëzim ky i një mbrëmje magjike. Skuadra nga Manchesteri është e dyta me 12 pikë, modestët moldavë janë të 3-tët me 3 pikë.

Roma fiton 1-2 në Finlandë ndaj HJK dhe mban vendin e 3-të me 7 pikë, po aq sa ka Ludogorets e vendit të dytë. VAR do “tërbonte” ekipin e Mourinhos në minutë ne 29-të, kur do anulonte një gol  të Cristante. Gjithsesi, Giallorossi do merrnin epërsinë brenda pjesës së parë me të zakonshmin Tommy Abraham.

HJK nuk do kthehej në mbrojtje, do guxonte, madje do barazonte shifrat në minutat e para të pjesës së dytë nga futbollisti me origjinë shqiptare, Përparim Hetemaj.

Gjithsesi, asgjë për t’u shqetësuar për italianët, pasi Hoskonen do djalloste gjithçka në minutën e 62-të me autogolin e tij. Roma menaxhoi mirë rezultatin për të marrë në shtëpi 3 pikë me vlerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN